Musliu kritikon raportin për rastin e Arlinda Zekajt: Arlinda është vrarë, dorëheqje Donikë!
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar raportin lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si është emërtuar rasti në dokumentin që synon të sqarojë përgjegjësitë dhe dështimet institucionale. Në një reagim të publikuar në Facebook, Musliu ka thënë se, edhe pas 72 orësh, raporti vazhdon…
Lajme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar raportin lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si është emërtuar rasti në dokumentin që synon të sqarojë përgjegjësitë dhe dështimet institucionale.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Musliu ka thënë se, edhe pas 72 orësh, raporti vazhdon ta përshkruajë rastin në titull si “dhunë në familje”, në vend që të përmendë qartë se bëhet fjalë për vrasje, transmeton lajmi.net.
“Donikë, Arlinda është vrarë. Nuk jeton më. Dhe raporti që duhet të sqarojë dështimet institucionale ende nuk e thotë qartë, që në titull, se bëhet fjalë për një vrasje”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka theksuar se Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje sa ishte gjallë, duke kërkuar që rasti të trajtohet me qartësi dhe të ketë llogaridhënie për dështimet e mundshme të institucioneve.
Deputetja e PDK-së ka kritikuar gjithashtu mungesën e përgjegjësisë politike, duke vlerësuar se kjo e fundit nuk mund të shmanget përmes raporteve dhe konferencave për media.
Në fund të reagimit të saj, Musliu i ka kërkuar dorëheqjen ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla Schwarz.
“Dorëheqje, Donikë! Sot. Jo nesër, në konferencë!”, ka përfunduar reagimin e saj Musliu./lajmi.net/