Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj tre personave për rastin “Albkings”
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj F.P., E.N., dhe E.S., lidhur me rastin “Albkings”. Prokurori i Shtetit, njofton se aktakuza në këtë rast u ngrit pas një pune të pandërprerë hetimore. “Aktakuza është ngritur kundër të pandehurve F.P., E.N. dhe E.S. Kundër të pandehurve rëndojnë veprat penale “Vjedhja e identitetit dhe…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj F.P., E.N., dhe E.S., lidhur me rastin “Albkings”.
Prokurori i Shtetit, njofton se aktakuza në këtë rast u ngrit pas një pune të pandërprerë hetimore.
“Aktakuza është ngritur kundër të pandehurve F.P., E.N. dhe E.S. Kundër të pandehurve rëndojnë veprat penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje” nga neni 277/H, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Ligjit Nr. 08/L-188 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe lidhur me nenet 31 dhe 77 të KPRK-së, “Shantazhi” nga neni 329, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 i KPRK-së dhe “Shtrëngimi” nga neni 192, paragrafi 1 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se tre të akuzuarit kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim fajësie.
“Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i Shtetit ka deponuar aktakuzën së bashku me marrëveshjet përkatëse për pranimin e fajësisë, të cilat janë arritur ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe të pandehurve”, njofton Prokuroria.
Kujtojmë se ish-administratori i “Albkings”, Edin Nevzadi ishte arrestuar më 17 prill 2024, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”. Ai u lirua nga paraburgimi në tetor 2024.
Në Dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhej se ekziston dyshimi i bazuar se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më 12 shkurt 2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings” në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, Nevzadi ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi dhe video-intime të të dëmtuarës AA., dhe numrin e telefonit të të dëmtuarës BB, kinse e njëjta ofron shërbime seksuale.