Prokuroria në Mitrovicë njofton se është ndaluar për 48 orë polici që dyshohet ta ketë shkaktuar aksidentin me fatalitet në Çubrel

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmë (e diel) në fshatin Çubrel të Skënderajt, ku për pasojë tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë lënduar, katër nga të cilët zyrtarë policorë. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një veturë civile dhe një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës, shkruan lajmi.net. Inspektorati…

Lajme

27/01/2025 14:23

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmë (e diel) në fshatin Çubrel të Skënderajt, ku për pasojë tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë lënduar, katër nga të cilët zyrtarë policorë.

Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një veturë civile dhe një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës, shkruan lajmi.net.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ky aksident dyshohet të jetë shkaktuar pasi vetura e Policisë nuk e kishte përshtatur shpejtësinë me rrugën dhe kishte dal në anën e kundërt.

Në lidhje me këtë, zyrtari policor është ndaluar për 48 orë.

Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

“Në aksident kanë qenë të përfshira dy (2) vetura, një (1) veturë zyrtare e policisë dhe një (1) veturë civile.. Si pasojë e aksidentit, tre (3) persona që kanë qenë në veturë civile kanë ndërruar jetë, dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupat e tyre janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Për këtë rast, është ndaluar një (1) person me vendim të prokurorit për dyzetetetë (48) orë, për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik – me fatalitet”, Rasti është duke u hetuar në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës”, ka thënë Preteni. /Lajmi.net/