Prokuroria del me njoftim për ish-këshilltarin e Kurtit: U ndalua 48 orë për “ngacmim” e jo për postimet në facebook, siç pretendoi avokati
Prokuroria Themelore në Prishtinë, është deklaruar lidhur me arrestimin e Durim Berishës, ish-këshilltar i kryeministrit në detyrë Albin Kurtit. Në njoftim thuhet se Berisha është ndaluar mbi dyshimet për veprat “ngacmim”dhe “detyrim”. Nga prokuroria është deklaruar edhe se, Berisha ka qenë i përfshirë në komunikim me palën e dëmtuar, gjë për të cilën, prokuroria ka…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë, është deklaruar lidhur me arrestimin e Durim Berishës, ish-këshilltar i kryeministrit në detyrë Albin Kurtit. Në njoftim thuhet se Berisha është ndaluar mbi dyshimet për veprat “ngacmim”dhe “detyrim”.
Nga prokuroria është deklaruar edhe se, Berisha ka qenë i përfshirë në komunikim me palën e dëmtuar, gjë për të cilën, prokuroria ka siguruar prova, raporton lajmi.net
“Prokuroria thekson se ky rast nuk ndërlidhet me pretendime apo denoncime publike të bëra nga i dyshuari, siç është raportuar në disa media. Këto raportime janë bazuar në deklarata të avokatit mbrojtës të të dyshuarit dhe nuk përputhen me gjendjen faktike të konstatuar deri në këtë fazë të hetimeve nga organet kompetente”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Njoftimi:
Prokuroria Themelore në Prishtinë ndalon një person të dyshuar për ngacmim dhe detyrim
Prishtinë, 2 maj 2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se, me urdhër të prokurorit kujdestar , është ndaluar për 48 orë një person i dyshuar me inicialet D.B.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Ngacmimi’’, sipas nenit 182, dhe ‘’Detyrimi’’, sipas nenit 328 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Bazuar në dyshimet fillestare, i dyshuari ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në komunikim me palën e dëmtuar, për çka Prokuroria ka siguruar prova relevante që mbështesin këto dyshime.
Prokuroria thekson se ky rast nuk ndërlidhet me pretendime apo denoncime publike të bëra nga i dyshuari, siç është raportuar në disa media. Këto raportime janë bazuar në deklarata të avokatit mbrojtës të të dyshuarit dhe nuk përputhen me gjendjen faktike të konstatuar deri në këtë fazë të hetimeve nga organet kompetente.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurimin e vënies para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin./Lajmi.net/