Projektligji për çmimin tavan, Kusari-Lila: I përcakton çmimet vetëm për 14 produkte dhe në situata të destabilizimit të tregut
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila sot në foltoren e Kuvendit të Kosovës ka folur në lidhje me kritikat që deputetët e opozitës i kanë dhënë projektligjit për çmime tavan, për çka kanë thënë se nuk e votojnë. Ajo ka thënë se janë dy elemente në këtë projektligj që në vazhdimësi po i…
Lajme
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila sot në foltoren e Kuvendit të Kosovës ka folur në lidhje me kritikat që deputetët e opozitës i kanë dhënë projektligjit për çmime tavan, për çka kanë thënë se nuk e votojnë.
Ajo ka thënë se janë dy elemente në këtë projektligj që në vazhdimësi po i keqinterpreton opozita.
“E para ka të bëj me mënyrën se si është interpretu përcaktimi i çmimeve duke u diskutu gjithmonë se ky ligj do të përcaktoj çmimet në të gjithë tregun e Kosovës. Ky ligj është i paraparë të aktivizohet vetëm në situata të destabilizimit të tregut dhe vetëm për 14 produkte që janë të specifikuara në këtë projektligj, janë produktet e shportës bazë që synim e kanë mbrojtjen e kategorisë më të lëndueshme në raport me ndryshimin e çmimeve. Nuk hyn në listën e përgjithshme të produkteve në të gjitha marketet dhe i përcakton çmimet, por vetëm listën e produkteve që janë të miratuara sipas projektligjit dhe nënprodukteve që derivojnë nga ato produkte dhe i miraton bordi”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se ky projektligj ka për qëlli t’i mbroj ata që kanë nevojë për mbrojtje.
E dyta sipas saj që është keqinterpretuar është Pavarësia e Bordit dhe kompetencat e shtetit, e që sipas saj opozita po bie në kontradiktë me atë nëse duan Bord të varur apo të pavaruru dhe a është kompetencë e Qeverisë apo jo.
“Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e vetë ka thënë se nuk mundet Qeveria të bëj përcaktimin e çmimeve, të përcjell implementimin e tyre dhe të vendos të përcjell implementimin e asaj për shkak se janë disa ligje në fuqi dhe mekanizma që duhet të jenë të pavarur. Rrjedhimisht, ideja dhe moduli më i çasshëm dhe lehtë i zbatueshëm por edhe që siguron garanci kushtetuese ka qenë Bordi i cili me konkurs të hapur për zgjedhjet me inicim nga Qeveria, votim nga Kuvendi dhe shumicën dhe pakicën e përcakton populli si për çdo ligj tjetër”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e përcakton se ligji për tregtinë e brendshme, ai për masat anti-damping dhe mekanizmi i Inspektoratit janë në funksion dhe kompetencë e Qeverisë.
“Ky përcaktim i cili do të bëhet nga Bordi ofron Qeveria ndihmë në aspektin e sekretariatit, kjo është kosto efektive për shkak se sekretariati kurseb krijimin e një mekanizmi shtesë, trupi që do të paguhet 12 muaj. Këta të angazhuar në kuadër të Bordit do të aktivizohen dhe paguhen vetëm për kohën sa do të takohen dhe të punojnë. Asnjë prej argumenteve ose brengave që po mundohen të politizohen nuk kanë të bëjnë me draftimin e këtij projektligji”, ka thënë Kusari-Lila.
Ligji për çmimin tavan sot është në pikë të rendit të ditës për votim në lexim të dytë. /Lajmi.net/