Fondet e BE-së për Kosovën, ekonomistët: Ndikimi pritet në disa fusha!

Kosova pritet të mbështetet financiarisht me mbi 200 milionë euro nga Bashkimi Evropian në kuadër të programeve IPA 2026-2027. Këto fonde pritet të ndahen për arsim, punësim, mjedis, energji e fusha të tjera. Megjithatë, marrëveshja paraprakisht duhet të ratifikohet në Kuvend. Profesorë të ekonomisë thonë se ndarja e fondeve të tilla do të luajë rol…

Lajme

09/07/2026 23:39

Kosova pritet të mbështetet financiarisht me mbi 200 milionë euro nga Bashkimi Evropian në kuadër të programeve IPA 2026-2027.

Këto fonde pritet të ndahen për arsim, punësim, mjedis, energji e fusha të tjera.

Megjithatë, marrëveshja paraprakisht duhet të ratifikohet në Kuvend. Profesorë të ekonomisë thonë se ndarja e fondeve të tilla do të luajë rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit.

Mbi 206 milionë euro, Kosova pritet t`i përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian në kuadër të programeve IPA 2026-2027.

44 milionë euro nga këto fonde do të ndahen për mjedis dhe klimë, 34.5 milionë euro për energji elektrike ndërsa 15 milionë euro për sundimin e ligjit.

Fondet do të mbështesin edhe fusha të tjera, 30.5 milionë euro do të ndahen për menaxhimin e kufijve dhe migrimin, për konkurrueshmëri, arsim dhe punësim 31.8 milionë euro, ndërsa për qeverisje të mirë dhe përafrim me BE-në 24.7 milionë.

Për këto fonde, të mërkurën u deklarua kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili tha se përveç projekteve të IPA-s, janë miratuar edhe 3 grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, në vlerë 25.9 milionë euro.

Megjithatë, për t’i përfituar ato, Kosova duhet ta ratifikojë në Kuvend, Marrëveshjen Financiare. Njohës të ekonomisë thonë se mbështetja financiare e BE-së është tejet e rëndësishme për ekonominë e vendit, andaj edhe kërkojnë konsensus nga politikëbërësit.

“Politikanët do duhej që të jenë në një zë, e sidomos në këto orientimet ose thirrjet e fondeve të Bashkimit Evropian, sepse këto ndikojnë direkt në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në mënyrën e të bërit biznes. Dhe këto këto do të përmirësonin jetën e qytetarëve dhe do të ketë edhe qeveria, domethënë edhe politika do të ketë një performancë më të mirë”, tha Fidan Qerimi, profesor i Ekonomisë.

Profesorë të ekonomisë thonë se institucionet duhet të punojnë në një model për shfrytëzimin adekuat të të gjitha të hyrave buxhetore, në mënyrë që vendi të ketë qëndrueshmëri ekonomike.

“Qeveria dhe institucionet e tjera të gjejnë një model të zhvillimit ekonomik, e cila e kthen të gjitha buxhetet të cilët po grumbullohen, të gjithë ato të hyra shtetërore edhe të gjithë resurset ekonomike që të shkojnë në një model të caktuar që që do ta kthejë edhe në nivel të punësimit më të madh, në nivel të një qëndrueshmërie ekonomike dhe sociale”, thotë Nagip Skenderi, profesor i Ekonomisë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e sivjetmë ka nënvizuar se Kosova do të jetë ndër vendet e para me rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë në vitet 2027-2031.

Parashikimet janë që Kosova të radhitet e dyta pas Maltës për nga rritja ekonomike, duke lënë pas Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë e vende të tjera./rtk/