Çka po ndodh në LDK? – Zemaj thotë se janë mbledhur 150 nënshkrime për zgjedhje të brendshme, Abdixhiku thotë se s’ka pranuar ndonjë kërkesë
Mbledhja e sotme e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës është shoqëruar me qëndrime të kundërta për zhvillimet e brendshme në parti. Ndërsa deputeti Armend Zemaj tha se janë mbledhur mbi 150 nënshkrime për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në të gjitha strukturat e LDK-së, kryetari Lumir Abdixhiku…
Lajme
Mbledhja e sotme e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës është shoqëruar me qëndrime të kundërta për zhvillimet e brendshme në parti.
Ndërsa deputeti Armend Zemaj tha se janë mbledhur mbi 150 nënshkrime për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në të gjitha strukturat e LDK-së, kryetari Lumir Abdixhiku deklaroi se deri më tani nuk është dorëzuar asnjë kërkesë zyrtare, transmeton lajmi.net.
Në fund të mbledhjes, Kryesia Qendrore rikonfirmoi mbështetjen e plotë për Abdixhikun.
Pas mbledhjes, Zemaj tha se iniciativa për zgjedhje të parakohshme gëzon mbështetje të konsiderueshme brenda partisë.
“Unë i takoj një dege që ka dhënë mendim unanim që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme në të gjitha strukturat e LDK. Jo vetëm që e kam nënshkru por janë më shumë se 150 nënshkrime që kërkojnë zgjedhje. Nuk kam njohuri a janë deponu”, deklaroi ai.
Deputeti i LDK-së shtoi se edhe gjatë mbledhjes së Kryesisë kishte qëndrime të ndryshme lidhur me këtë çështje.
“Gjatë mbledhjes së Kryesisë së LDK-së pati kërkesa që të mos ketë zgjedhje të parakohshme”, tha Zemaj.
Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mohoi se në organet e partisë është dorëzuar ndonjë kërkesë për Kuvend të jashtëzakonshëm apo për shkarkimin e tij.
“Në LDK nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri tash. Do të doja që LDK-ja të merrej sa më pak me çështje që e ndajnë partinë. Nuk e dëshiroj ndarjen e LDK-së. Kemi mbajtur Kuvend para pak kohe dhe nisma të tilla të njëanshme nuk i bëjnë mirë LDK-së”, deklaroi Abdixhiku.
Sipas Statutit të LDK-së, një Kuvend i jashtëzakonshëm mund të thirret nëse kërkesa mbështetet nga të paktën një e treta e delegatëve, ndërsa ai duhet të mbahet brenda 60 ditëve nga dorëzimi i saj.
Në përfundim të mbledhjes, Kryesia Qendrore publikoi një komunikatë me pesë pika, ku vlerësoi angazhimin e strukturave gjatë zgjedhjeve, por pranoi se rezultati i arritur, megjithëse shënoi rritje për LDK-në, nuk i përmbushi pritjet politike të partisë.
Në komunikatë, Kryesia shprehu mbështetje të plotë për Lumir Abdixhikun.
“Kryesia Qendrore shpreh mbështetjen e plotë për Kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, në ushtrimin e mandatit për udhëheqjen e proceseve politike e organizative të partisë; si dhe procesin e formimit të institucioneve të Republikës nëpërmjet diskutimeve me partitë e tjera parlamentare.”
Po ashtu, Kryesia ritheksoi se zgjedhjet e brendshme do të mbahen në afatet e rregullta statutare dhe se çdo iniciativë duhet të trajtohet përmes mekanizmave demokratikë të partisë.
Në fund, drejtuesit e LDK-së u bënë thirrje anëtarëve të ruajnë unitetin dhe të përqendrohen në forcimin e partisë, duke theksuar se përgjegjësia për përmirësimin e rezultatit zgjedhor është e përbashkët për të gjitha nivelet organizative./lajmi.net/