Prodhuesit e automjeteve bashkohen në “garën globale” për prodhimin e ventilatorëve
Një “garë” është duke u zhvilluar midis prodhuesve të automjeteve amerikane General Motors dhe Ford, atyre franceze PSA dhe Renault, dhe inxhinierëve të Formula 1, për të prodhuar pajisje mjekësore në krizë të pandemisë së coronavirusit.
Auto & Tek
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, mungesa e ventilatorëve në spitalet e gjithë botës, ka bërë që mjekët të marrin vendime për çështje jetë a vdekje.
Këto prodhime të ndërmarrjeve të ndryshme janë krahasuar me urgjencën e Luftës së Dytë Botërore, ku u mobilizuan për të ndërtuar tanqe dhe aeroplanë luftarakë.
Disa ekspertë thonë se në këtë situatë, ndërtimi i ventilatorëve do të kërkojë teknika dhe procedura të ndryshme, për dallim nga prodhimet e tjera të zakonshme që shihen tek fabrikat e makinave.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte shkruar në Twitter se kompania General Motors dhe Ford duhet të fillojë ndërtimin e ventilatorëve.
Në Francë, ndërkohë, është krijuar një vendim për kompanitë industriale – përfshirë PSA dhe furnizuesin e pajisjeve automobilistike Valeo – për të prodhuar “10,000 ventilatorë deri në mes të majit”, njoftoi Presidenti Emmanuel Macron të martën.
Në anën tjetër, Mercedes ka kërkuar nga ekipi i saj në Formula 1, gjithashtu t’i përvishen kësaj pune.
Ekipi thotë se mund të prodhojë rreth 1,000 njësi në ditë me ndihmën e gjashtë skuadrave të tjera të F1 me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që janë zotuar të ndihmojnë në ndërtimin e pajisjeve.