Procesi i liberalizimit të vizave është në fazën përfundimtare, thotë presidentja
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar të hënën udhëheqësit e institucioneve përgjegjëse për sundimin e ligjit, të drejtësisë dhe të integrimeve evropiane.
Lajme
Sipas presidente, ky takim është bërë me qëllim të bashkërendimit dhe të harmonizimit të veprimeve ndërinstitucionale në përmbushjen e rekomandimeve të mbetura në procesin e liberalizimit të vizave dhe për angazhimin e institucioneve në parandalimin e migrimit ilegal.
“Biseduam për përshpejtimin e procesit të plotësimit dhe të miratimit të pakos legjislative, për bashkërendimin më të mirë institucional në fushën e sundimit të ligjit, për efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, si dhe u pajtuam për dinamikën e zbatimit të të gjitha rekomandimeve të mbetura për procesin e liberalizimit të vizave, i cili tashmë është në fazën përfundimtare”, ka thënë Jahjaga.