Prishtina nuk do të lejojë ndërtime jashtë Planit zhvillimor urban

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka treguar edhe një herë për parregullsitë që qeverisja e kaluar e Prishtinës i ka lënë sa i përket ndërtimeve në Prishtinë, sidomos atyre pa leje.

Lajme

10/04/2014 18:27

Gjatë një takimi që ka pasur me përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe Prodhuese, kreu i Prishtinës ka shpjeguar se shumë ndërtesa janë jashtë planeve rregullative dhe jashtë vijave ndërtimore. Ndërsa, është thënë se nuk do të jepet leje për ndërtesat që janë në kundërshtim me Planin zhvillimor urban.

“Ka kompani, për shembull, që kanë marrë leje për ndërtim në ndonjë pjesë të qytetit në vitin 2009, por nuk e kanë bërë ndërtimin deri tash. E njëjta kompani vjen tani për të kërkuar leje për të njëjtin ndërtim, mirëpo ne e kemi të pamundur t’ia japim, për shkak se është në kundërshtim me Planin zhvillimor urban”, ka sqaruar Ahmeti.

Ndërsa për ndërtesat që ka pasur vendim për rrënim, e që nuk janë rrëzuar deri më tani, Ahmeti ka fajësuar qeverisjen e kaluar, ndërsa ka thënë se kjo praktikë nuk duhet të vazhdohet më.

Ahmeti ka treguar që nuk do të lëshohen leje ndërtimi, nëse ndërtesat kanë filluar të ndërtohen.

“Ne kemi trashëguar një numër të madh të ndërtesave që tashmë kanë arritur në katin e dytë ose të tretë, e që thonë se “i kemi nisur procedurat për marrjen e lejeve”. Ne jemi të detyruar që sipas ligjit të japim përgjigje, dhe përgjigjet do t’i japim në të gjitha rastet ku dokumentacionet janë në rregull”, u shpreh Ahmeti.

Pas fjalës së tij, pati shumë pyetje dhe diskutime edhe nga përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe Prodhuese, të cilat kërkuan nga Komuna e Prishtinës lehtësime për leje të ndërtimit.

Në fund të takimit, Komuna e Prishtinës ua ka tërhequr vërejtjen ndërtimtarëve se qeverisja e re është e angazhuar që t’i ndihmojë të gjithë ndërtuesit që duan të punojnë me korrektësi dhe në përputhje me ligjin, por duke mbrojtur interesin e qytetarëve, si dhe interesin e vetë Komunës.