Prishtina kuqezi, rreth 100 mijë qytetarë në “Marshin për Liri”: Pamjet e fuqishme nga sheshet e kryeqytetit

Në një nga tubimet më masive të viteve të fundit, kryeqyteti i Kosovës u vesh sot kuqezi nga qindra flamuj dhe rreth 100 mijë qytetarë të mbledhur nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora. Nën organizimin e platformës qytetare “Liria Ka Emër” dhe moton “Kosova po pret”, sheshet e Prishtinës u shndërruan në një arenë…

Lajme

12/09/2026 19:18

Në një nga tubimet më masive të viteve të fundit, kryeqyteti i Kosovës u vesh sot kuqezi nga qindra flamuj dhe rreth 100 mijë qytetarë të mbledhur nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.

Nën organizimin e platformës qytetare “Liria Ka Emër” dhe moton “Kosova po pret”, sheshet e Prishtinës u shndërruan në një arenë të fuqishme solidariteti në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, transmeton lajmi.net.

Ky marshim madhështor erdhi në një moment tejet delikat dhe historik për vendin, vetëm katër ditë para shpalljes së verdiktit përfumdimtar nga Dhomat e Specializuara në Hagë, i caktuar për 16 shtator.

Për t’i dhënë zë kësaj ngjarjeje historike, platforma “Liria ka Emër” ka publikuar një fotoalbum të pasur në rrjetin social Facebook, ku pasqyrohet madhështia e pjesëmarrjes, emocionet e qytetarëve, deti i flamujve kombëtarë dhe simbolet e UÇK-së që pushtuan sheshet “Zahir Pajaziti”, “Nëna Terezë” e “Skënderbeu”.

Pamjet e shpërndara dëshmojnë një bashkim mbarëpopullor pa dallime politike, ku qytetarë të të gjitha moshave marshuan me një thirrje të vetme: drejtësi dhe pafajsi për çlirimtarët.

Në fjalimet e mbajtura gjatë tubimit, u theksua se lufta e UÇK-së ishte e pastër, e drejtë dhe për liri, ndërsa u bë thirrje që drejtësia ndërkombëtare të mos barazojë kurrë viktimën me agresorin.

Përmes këtij fotoalbumi në Facebook, “Liria ka Emër” ka përmbyllur ditën e sotme me një falënderim të ngrohtë për secilin pjesëmarrës, duke përcjellë mesazhin se sytë dhe zemrat e mbarë kombit tashmë janë të drejtuara drejt 16 shtatorit, në pritje të kthimit të merituar të bijve të Kosovës në atdhe./lajmi.net/