Prishet Termocentrali “Kosova B”, apel për kursim të rrymës elektrike

Në orët e hershme të mëngjesit jemi lajmëruar për ndaljen e paplanifikuar të njësisë B1 në Termocentralin Kosova B të KEK dhe si pasojë jemi ballafaquar me mungesë të 250 MWh të energjisë elektrike në sistem, thuhet në një komunikatë të KEDS-it. 

Lajme

03/11/2014 16:19

Në vijim thuhet se KEDS është duke bërë të pamundurën dhe do të angazhohet në maksimum që të gjejë mënyra për t’i furnizuar qytetarët me energji elektrike, gjë që fatkeqësisht, për shkak të rrethanave të jashtme të krijuara, për momentin është e pamundur.

“Kemi kontaktuar të gjitha palët e treta duke kërkuar zgjidhje, me qëllim që të na mundësohet importi emergjent i energjisë elektrike derisa prishja në njësinë B1 të sanohet.

Jemi në kontakt të vazhdueshëm me KEK-un dhe jemi informuar që janë duke bërë të pamundurën që prishja në B1 të sanohet në afatin më të shkurtë të mundshëm kohor dhe prodhimi të stabilizohet. Sidoqoftë, ende nuk jemi informuar për kohën e kthimit të njësisë B1 në prodhim”.

Duke marrë parasysh sasinë e shtuar të konsumit të energjisë elektrike, për shkak të rënies së temperaturave, KEDS lut të gjithë qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike. Përdorimi i përgjegjshëm i energjisë elektrike ndihmon sektorin e energjisë dhe vetë qytetarin, thuhet në fund të kësaj komunikate të KEDS-it.