Presidenti i Interit premton mijëra euro për lojtarët e tij, Asllani me shokë duhet ta prekin finalen e Stambollit

Presidenti i Interit, Steven Zhang ka në kokë vetëm një ide, si të kalojë rivalët e të njëjtit qytet në garën dyshe për një vend në zonën Champions por edhe në gjysmëfinalen e dyfishtë në 10 dhe 16 maj. Ky do të jetë një muaj zjarri për zikaltërit që llogarit duhet t’i bëjnë me rivalin…

Sport

29/04/2023 10:07

Presidenti i Interit, Steven Zhang ka në kokë vetëm një ide, si të kalojë rivalët e të njëjtit qytet në garën dyshe për një vend në zonën Champions por edhe në gjysmëfinalen e dyfishtë në 10 dhe 16 maj.

Ky do të jetë një muaj zjarri për zikaltërit që llogarit duhet t’i bëjnë me rivalin e tyre më të urryer, Milanin e Stefano Piolit që vetëm një vit më parë u rrëmbeu titullin nga duart duke i provokuar më pas edhe me festime përtej kornizave etike shpeshherë.

Gjithsesi, objektivi kryesor është finalja e Champions League në Stamboll dhe nëse kjo bëhet realitet 13 vite pas asaj të Madridit, presidenti kinez ka një surprizë jo të vogël për stafin dhe lojtarët. Ai ka premtuar 2 milionë euro në rast se pas 180 apo më shumë minutave të Europës, skuadra e Inzaghit do të arritë të dalë me kokën lartë.

Nëse bëhet një pjesëtim i thjeshtë, për çdo lojtar dhe pjesëtar të stafit do të shkojnë pak a shumë nga 50 mijë euro për kokë. Të njëjtën shifër ata e kanë përfituar edhe me kalimin e raundeve ndaj Portos fillimisht dhe Benfica-s më pas.

Në rast se pret biletën e Stambollit, kjo do të ishte finalja e gjashtë e Interit nën menaxhimin e familjes Zhang dhe e dyta në optikën europiane pas asaj të humbur në Europa League.