Presidenti i Brescia paralajmëron Interin me këtë deklaratë rreth Tonalit

Pas zërave mediatike të ditëve të fundit, kanë ardhur edhe konfirmimet zyrtare mbi interesin e Milanit për mesfushorin e talentuar italian Sandro Tonali, ndërsa lajmin e ka dhënë vetë presidenti i Brescias, Massimo Cellino.

Sport

28/08/2020 23:50

Në një deklaratë për mediat italiane, numri një i klubit të “dallëndysheve” foli me superlativa për seriozitetin e Milanit dhe paralajmëroi Marottën se është vetë futbollisti ai që dëshiron të mësojë sa më shpejt të ardhmen e tij.

“Maldini më ka kontaktuar për Tonalin dhe ai është një njeri shumë serioz, njësoj si politika e Milani ndër vite. Nga ana tjetër Marotta më ka konfirmuar vazhdimisht interesin e fortë të Interit për djaloshin dhe unë e kam pritur, duke mos negociuar me asnjë klub jashtë Italisë. Megjithatë mund të them se unë nuk e kam me nxitim, por Tonali po. Ai kërkon të mësojë sa më shpejt të ardhmen, sidomos tani që shumica e skuadrave kanë nisur përgatitjet”, deklaroi Cellino.

Mediat në Itali raportojnë se Interi ka arritur marrëveshjen me Tonalin për një kontratë 5-vjeçare me pagë 2.5 milionë euro në sezon dhe gjithashtu edhe me Brescian për huazimin prej 13 milionë eurosh, me detyrim blerjeje verën e ardhshme për 22 milionë euro të tjera, për të plotësuar një total prej 35 milionë eurosh.

Megjithatë klubi zikaltër ka lënë gjithçka pezull momentalisht, pasi po pret të sistemojë futbollistë si Perisiç, Nainggolan e Joao Mario, të cilët janë kthyer nga huazimi, por që nuk bëjnë pjesë në planet e Contes. /Lajmi.net/