Premtime sociale ende pa filluar fushata: LDK e VV i prezantojnë programet, PDK, AAK e Nisma nesër

Kanë mbetur më pak se dy javë, kur qytetarët do të drejtohen tek kutitë e votimit për të zgjedhur një nga pesë kandidatët për kryeministër, Albin Kurtin e VV-së, Bedri Hamzën e PDK-së, Lumir Abdixhikun e LDK-së, Ramush Haradinajn e AAK-së dhe Fatmir Limajn e Nismës. Përveç tyre, qytetarët e Kosovës, në të njëjtin fletëvotim…

Lajme

16/12/2025 22:38

Kanë mbetur më pak se dy javë, kur qytetarët do të drejtohen tek kutitë e votimit për të zgjedhur një nga pesë kandidatët për kryeministër, Albin Kurtin e VV-së, Bedri Hamzën e PDK-së, Lumir Abdixhikun e LDK-së, Ramush Haradinajn e AAK-së dhe Fatmir Limajn e Nismës.

Përveç tyre, qytetarët e Kosovës, në të njëjtin fletëvotim mund të zgjedhin edhe 10 kandidatë për deputetë nga e njëjta parti që kanë zgjedh kandidatin për kryeministër.

E për këto zgjedhje, partitë politike veçse janë mobilizuar.

Një ditë pa filluar fushata zyrtarisht dhe sipas vendimit të KQZ-së, VV dhe LDK i kanë prezantuar kandidatët e tyre për deputetë dhe programet qeverisëse.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka premtuar sot rritje të pagave, rritje të shtesave për fëmijë, e ndihma për çiftet e reja.

“Administrata e shtetit, policët, zjarrfikësit, ushtarët, nuk mund të jetë e dobët kur Kosova ka nevojë të jetë e fortë. Nuk mund të jetë e papaguar drejt në një kohë kur kërkojmë cilësi, shpejtësi e profesionalizëm. Nuk mund të jetë e demotivuar në një vend që kërkon zhvillim. Prandaj, ne do ta nderojmë administratën. Ne do ta mbështesim. Ne do t’ua rrisim pagat, sepse ata e rrisin Kosovën çdo ditë”, tha Abdixhiku.

Ai ka prezantuar edhe programin e tyre për familjet, ku ka thënë se e kanë vendosur njeriun në qendër të shtetit.

Abdixhiku ka thënë se do ta mbështesin çdo familje të re që do të krijoj jetën e tyre në Kosovë, për çka ka thënë se detyrimi i vetëm i tyre është që të sigurojnë një kontratë mes qytetarit dhe shtetit, ku shteti i rrin në krah qytetarit nga dita e parë e lindjes deri te vendi i parë i punës.

“Kemi paraparë që shtetin t’ua ofrojmë të porsalindurve që nga dita e parë që hapin sytë, për çdo fëmijë të porsalindur, nënat kosovare do të marrin plot 2400 euro për një vit apo nga 200 euro për çdo muaj për vitin e parë. Ky është zotimi ynë”, ka premtuar i pari i LDK-së.

Ai ka thënë se kanë paraparë mbështetje edhe për çiftet e reja.

“Nuk mund të kemi zhvillim pa familje të forta, nuk mund të kemi shtet pa njerëz që besojnë te shteti, nuk mund të kemi të ardhme pa fëmijë që rriten në qetësi, siguri e mundësi. Prandaj, kemi paraparë mbështetje për çiftet e reja, me mbulim të plotë të interesit për banim të parë. Kemi paraparë përkujdesje të plotë financiare falas, për çdo të porsalindur në Kosovë dhe familjet ku ata gjejnë jetë”, ka shtuar ai.

Për fëmijët nga mosha 2 deri në 16 vjeç, Abdixhiku ka premtuar 40 deri në 50 euro për çdo muaj.

“Kemi paraparë edhe mbështetje financiare për çdo fëmijë në Kosovë, nga mosha 2 deri në 16 vjeçare, nga 40 euro deri në 50 euro secilin muaj për secilin fëmijë në Republikën e Kosovës”, ka shtuar Abdixhiku.

Ndryshe prej tij, i pari i VV-së, fokusin e tij e ka pas në mbrojtje por gjithashtu edhe për familjet.

Në një tubim me qytetarët në Prishtinë, Kurti premtoi se do të investohen 1 miliard euro në armatim dhe pajisje moderne ushtarake.

“Do të ndërtojmë fabrikën e municionit dhe të dronëve, duke e kthyer sigurinë edhe në motor zhvillimi ekonomik, teknologjik dhe industrial. Kjo do të thotë vende të reja pune, transferim njohurish dhe rritje e kapaciteteve vendore” u shpreh Kurti.

Ai deklaroi se, krahas investimeve në energji, do të bëhen investime edhe në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, duke shfrytëzuar resurset e linjitit.

Bashkë me energjinë, Kurti ka premtuar edhe sigurim të ujit të pijes për qytetarët, duke investuar 400 milionë euro për ndërtimin e pesë digave të reja, në Firajë, Dragaqinë, Pollatë, Desivojcë dhe Kuqicë, të cilat do të mbledhin dhe menaxhojnë burimet ujore.

“Kur e morëm përgjegjësinë për të udhëhequr vendin, Bruto Produkti Vendor ishte rreth 7 miliardë euro. Sot, me punë të ndershme dhe politika të drejta, ka arritur në 11 miliardë euro, ndërsa projektojmë që vitin e ardhshëm BPV-ja të arrijë në 12 miliardë euro.

Kjo rritje ekonomike nuk ka mbetur në statistika. Ajo është përkthyer drejtpërdrejt në rritje të pagave, pensioneve dhe mbështetjes për familjet. Ndërsa qeverisja jonë e mirë është garancia e vetme që ekonomia të vazhdojë rritjen me trendin e njëjtë, e bashkë me ekonominë të vazhdojnë të rriten edhe pagat, pensionet dhe mbështetja për familjet” deklaroi kryetari i LVV-së.

Me këtë rast, ai premtoi se BPV-ja për kokë banori do ta tejkalojë vlerën prej 10 mijë eurosh.

“Me ne, paga minimale do të vazhdojë të rritet çdo vit, ashtu siç kemi bërë edhe gjatë këtij mandati, kur e kemi rritur nga 170 euro në 500 euro. Ky është një ndryshim historik që e ka rritur dinjitetin e punëtorit.

Edhe pagat në sektorin publik gjatë mandatit tonë kanë shënuar rritje mesatare prej 47%, dhe kjo rritje do të vazhdojë edhe në mandatin që vjen, në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike, duke e ngritur pagën mesatare në sektorin publik mbi 1,000 euro në muaj” deklaroi ai.

Duke folur për pensionet, Kurti u shpreh se rritja e pensioneve do të vazhdojë bashkë me rritjen e buxhetit, e veçanërisht me kompletimin e reformës pensionale.

“Do të vazhdojmë rritjen e mbështetjes edhe për kategoritë e dalura nga lufta, dhe përveç rritjes së beneficionit, do të ndryshojmë ligjin dhe do të heqim edhe padrejtësinë që kushtëzon përfitimin e beneficionit vetëm për veteranët që nuk punojnë” tha Kurti.

Përgjatë shpalosjes së programit, Kurti përmendi edhe rritjen e shtesave për fëmijë, për lehona, rritjen e granteve për fermerë si dhe përmirësimin e kushteve shkollore.

Partia Demokratike e Kosovës me kandidat për kryeministër, Bedri Hamzën do të filloj fushatën dhe do të prezantoj kandidatët për deputetë e programin e tyre qeverisës nesër në Prizren e Dragash.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, fushatën do ta filloj gjithashtu nesër në  Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Nisma Socialdemokrate, fushatën do ta nis të enjtën në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. /Lajmi.net/