Prelec: Çmontimi i sistemit të Vuçiqit do të marrë kohë, Lista e Studentëve ende nuk ka marrë detyrën

Njohësi i çështjeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Marko Prelec, ka reaguar lidhur me fitoren e Listës së Studentëve në zgjedhjet në Serbi, dhe humbjet e Aleksandër Vuçiqit. Prelec, i pyetur për ndryshimet që mund të ndodhin në Serbi, ka thënë se një gjë e tillë ‘’do të marrë kohë’’. “Unë mendoj se kjo do…

Lajme

28/10/2026 11:47

Njohësi i çështjeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Marko Prelec, ka reaguar lidhur me fitoren e Listës së Studentëve në zgjedhjet në Serbi, dhe humbjet e Aleksandër Vuçiqit.

Prelec, i pyetur për ndryshimet që mund të ndodhin në Serbi, ka thënë se një gjë e tillë ‘’do të marrë kohë’’.

“Unë mendoj se kjo do të marrë shumë kohë. Dua të them, bëhet fjalë për 14 vjet të një sistemi të rrënjosur thellë, i cili, para së gjithash, duhet të kuptohet dhe të hetohet, e më pas të çmontohet dhe të zëvendësohet me diçka tjetër’’, ka deklaruar ai.

Ai ka vlerësuar edhe se është ‘’herët’’ për ‘’shqetësim’’ lidhur me dështimet e mundshme qeverisëse të Listës së Studentëve.

‘’Mendoj se është ndoshta ende herët të fillojmë të shqetësohemi për atë që do të ndodhë nëse ata dështojnë. Ata ende nuk e kanë marrë detyrën. Mendoj gjithashtu se ka gjasa që ne ta mbivlerësojmë shkallën e ndarjes së shoqërisë. Shumë njerëz i qëndruan besnikë presidentit dhe partisë së tij për shkak të sistemit të patronazhit politik. Prandaj, ndërsa ky sistem shpërbëhet, një pjesë e konsiderueshme e tyre do të largohen, duke lënë pas një bërthamë më të vogël njerëzish të përkushtuar ideologjikisht. Kjo ka ndodhur edhe me parti të tjera që kanë qenë në pozita të ngjashme në të kaluarën’’, ka deklaruar ai për euronews.

I pyetur se nëse udhëheqësit e rinj të Serbisë dëshirojnë ta afrojnë vendin me Evropën, ka thënë se këta të fundit janë deklaruar ‘pro’ kësaj ideje, porse nuk është ende e qartë se a nënkupton anëtarësim eventual në BE.

‘’Epo, ata kanë thënë se dëshirojnë një gjë të tillë. Megjithatë, nuk kanë qenë plotësisht të qartë nëse me këtë nënkuptojnë anëtarësimin eventual në Bashkimin Evropian, një çështje që mbetet e pasigurt për një sërë arsyesh. Por, është e qartë se ata synojnë të kenë marrëdhënie më të mira me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, me vetë BE-në, si dhe marrëdhënie konstruktive me fqinjët e tyre, gjë që është gjithashtu shumë e rëndësishme.”, ka thënë ai./Lajmi.net/