Policia paralajmëron qytetarët: Po qarkullojnë mesazhe dhe dokumente të falsifikuara

Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët për një seri mesazhesh mashtruese dhe dokumentesh të falsifikuara që po qarkullojnë, në të cilat në mënyrë të paautorizuar përdoren emri, logot, vulat dhe nënshkrimet e institucioneve të Kosovës. Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të qartë se dokumenti i publikuar nuk është njoftim zyrtar i saj, duke u…

Lajme

15/09/2026 14:33

Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët për një seri mesazhesh mashtruese dhe dokumentesh të falsifikuara që po qarkullojnë, në të cilat në mënyrë të paautorizuar përdoren emri, logot, vulat dhe nënshkrimet e institucioneve të Kosovës.

Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të qartë se dokumenti i publikuar nuk është njoftim zyrtar i saj, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos u përgjigjen kërkesave të tilla dhe të mos ndërmarrin veprime bazuar në përmbajtjen e tyre, transmeton lajmi.net.

Qytetarët këshillohen të mos ndajnë të dhëna personale, dokumente apo informacione përmes adresave të dyshimta dhe të shmangin klikimin në linqe të panjohura.

Policia ka paralajmëruar gjithashtu që të mos hapen faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve dhe të mos jepen të dhëna bankare apo personale.

Në rast se qytetarët pranojnë mesazhe të tilla, Policia rekomandon që ato të fshihen dhe të raportohen te autoritetet përkatëse. Nëse dikush ka ndarë të dhëna bankare, duhet të kontaktojë menjëherë bankën.

Sipas Policisë, për raportimin e rasteve qytetarët mund të përdorin aplikacionin “Lajmëro Policinë” ose të telefonojnë në numrin 192.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po ndërmerr veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës, duke kërkuar që qytetarët për informacionet zyrtare t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të institucioneve.

Postimi i plotë;

Informacion zyrtar nga Policia e Kosovës
Policia e Kosovës fton qytetarët për kujdes ndaj mesazheve mashtruese
Prishtinë, 15 shtator 2026
Policia e Kosovës njofton qytetarët se janë duke qarkulluar mesazhe mashtruese dhe dokumente të falsifikuara, të cilat në mënyrë të paautorizuar përdorin emrin, logot, vulat dhe nënshkrimin fals të institucioneve të Kosovës.
Policia e Kosovës sqaron se dokumenti i publikuar nuk është njoftim zyrtar i Policisë së Kosovës dhe qytetarët nuk duhet t’iu përgjigjen kërkesave të tilla.
Ftojmë qytetarët që të mos ndajnë të dhëna personale, të mos dërgojnë dokumente apo informacione përmes adresave të dyshimta dhe të mos ndërmarrin veprime bazuar në mesazhe të tilla.
Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës. Për çdo informacion zyrtar, qytetarët duhet t’iu referohen vetëm kanaleve zyrtare të institucioneve.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së qytetarëve, informimit të saktë dhe parandalimit të çdo forme të mashtrimit dhe keqpërdorimit të identitetit institucional.
KËSHILLA PËR MESAZHE ME PËRMBAJTJE MASHTRUESE
Mos klikoni në linqe të dyshimta.
Mos jepni të dhëna bankare apo personale.
Mos hapni faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.
Në rast se pranoni mesazhe të tilla:
Fshijeni menjëherë.
Raportojeni tek autoritetet përkatëse.
Kontaktoni bankën nëse keni ndarë të dhëna.
Raportoni përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose telefononi në 192./lajmi.net/