Policia merr masa sigurie për protestën e sotme, rruga “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymeri” mbyllen nga ora 15:00

Policia e Kosovës, ka njoftuar në lidhje me protestën e paralajmëruar për sot në ora 16:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nga platforma “Liria ka Emër” për të shprehur vazhdimin e pakënaqësive lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Policia ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen…

Lajme

01/10/2026 12:14

Policia e Kosovës, ka njoftuar në lidhje me protestën e paralajmëruar për sot në ora 16:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nga platforma “Liria ka Emër” për të shprehur vazhdimin e pakënaqësive lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Policia ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e protestës para, gjatë dhe deri në përfundimin e saj.

“Siç e kemi potencuar në vazhdimësi, Policia e Kosovës, sipas Ligjit mbi tubimet publike, e njeh të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve e protestave të qeta dhe sipas detyrës zyrtare angazhohet që mbarëvajtja e protestës të kalojë e qetë dhe pa ndonjë incident dhe që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore. Për shkak të zhvillimit të protestës dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, do të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktiviteti, andaj Policia ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, ka njoftuar Policia.

Nga ora 15:00, rrugët të cilat do të mbyllen përkohësisht për qarkullim në kryeqytet janë Luan Haradinaj dhe Enver Zymeri, por varësisht nevojës operative mund të ketë edhe rrugë të tjera në të cilat mund të ndërpritet qarkullimi përkohësisht.

“Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend dhe se siguria e qytetarëve, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike në vend mbesin prioritet i Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës, falënderon organizatorët dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar në vazhdimësi ndaj policisë dhe njëkohësisht apelon që të kenë kujdes të shtuar, të respektojnë ligjet dhe rregullat në trafikun rrugor në interes të sigurisë së përgjithshme”, ka njoftuar Policia. /Lajmi.net/