Policia jep bilancin e protestës së mbrëmshme: 20 zyrtarë të lënduar, 12 protestues dhe një gazetar kërkuan ndihmë mjekësore
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për protestën e paralajmëruar sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas zhvillimeve të protestës së mbrëmshme lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale dhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Policia ka bërë të ditur se gjatë protestës së mbrëmshme disa protestues kanë…
Lajme
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për protestën e paralajmëruar sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas zhvillimeve të protestës së mbrëmshme lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale dhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Policia ka bërë të ditur se gjatë protestës së mbrëmshme disa protestues kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta në drejtim të objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë.
Sipas Policisë, për vënien e situatës nën kontroll, mundësimin e lirisë së lëvizjes dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë, janë përdorur mjete të ligjshme policore, përfshirë sprejin, gazin lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarje të turmës.
“Bazuar në raportet zyrtare, për mosrespektim të thirrjeve të vazhdueshme policore për qetësi dhe rënies ndesh me ligjin, janë arrestuar tre (3) persona ku dy (2) prej tyre me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa një (1) është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatë.
Policia ka bërë të ditur se si pasojë e zhvillimeve dhe sulmeve me mjete të ndryshme, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme dhe kanë pranuar tretman mjekësor.
Ndihmë mjekësore, sipas Policisë, kanë kërkuar edhe 12 qytetarë ose protestues, si dhe një gazetar, të cilët gjithashtu kanë pranuar tretman mjekësor.
Policia ka njoftuar se, pas veprimeve të ndërmarra gjatë protestës, ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës për vlerësimin e veprimeve dhe dyshimeve të mundshme për tejkalim të autorizimeve policore.
“Policia e Kosovës duke qenë institucion demokratik dhe llogaridhënës, sipas detyrës zyrtare pas çdo planifikimi operacional, bën vlerësimet pasoperacionale të veprimeve policore në terren dhe varësisht nga të gjeturat mbi veprimet dhe dyshimet e mundshme për tejkalim të autorizimeve policore, ka njoftuar IPK-në si autoritet kompetent”, thuhet në komunikatë.
Ndërkohë, Policia ka bërë thirrje që protesta e sotme të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe demokratike, duke kërkuar respektimin e ligjeve dhe udhëzimeve të zyrtarëve policorë.
Policia ka paralajmëruar gjithashtu se, varësisht nga nevojat operative dhe zhvillimet në terren, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët përreth lokacionit ku zhvillohet protesta. /Lajmi.net/