Mendësia e Vuçiqit | Kandidati për president të Serbisë, i propozuar nga Lista Studentore, e quan Kosovën “territor të pushtuar përkohësisht”

Radomir Saiçiq, kandidat i Listës Studentore për president të Serbisë, ka shfaqur qëndrime nacionaliste ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si “territor të pushtuar përkohësisht” dhe duke insistuar në pretendimet e Serbisë për integritetin territorial të saj. Në deklaratat e tij publike, Saiçiq ka përdorur retorikë kundër sovranitetit të Kosovës, duke u thirrur në Kushtetutën…

Lajme

27/11/2026 17:06

Radomir Saiçiq, kandidat i Listës Studentore për president të Serbisë, ka shfaqur qëndrime nacionaliste ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si “territor të pushtuar përkohësisht” dhe duke insistuar në pretendimet e Serbisë për integritetin territorial të saj.

Në deklaratat e tij publike, Saiçiq ka përdorur retorikë kundër sovranitetit të Kosovës, duke u thirrur në Kushtetutën e Serbisë dhe duke pretenduar se Kosova dhe Metohia janë pjesë e pandashme e territorit serb, transmeton lajmi.net.

“Kosova dhe Metohija janë, sipas Kushtetutës, pjesë e pandashme e territorit tonë. Ky është fakt dhe kështu do të mbetet. Për mua, është territor i pushtuar përkohësisht”, kishte deklaruar Saiçiq.

Ai ka thënë se prioritet i tij është ruajtja e asaj që e quan integritet territorial të Serbisë, si dhe përmirësimi i kushteve të jetesës për serbët. Po ashtu, të ardhmen e Republikës Sërpska e ka lidhur me atë të popullit serb, duke ngritur pikëpyetje për qasjen e tij ndaj raporteve ndërshtetërore në rajon.

Qëndrimet e Saiçiqit nuk kufizohen vetëm te Kosova. Ai ka shprehur gjithashtu afërsi politike me Moskën, duke pretenduar se Rusia e mbron integritetin territorial të Serbisë më shumë sesa vetë Qeveria në Beograd.

Ndërkohë, kur është pyetur për raportet me Bashkimin Evropian, pas kandidimit për president, Saiçiq ka deklaruar se ka qëndrim pozitiv ndaj BE-së dhe vlerave evropiane. Ai ka thënë se Serbia duhet të bëjë përparim konkret drejt anëtarësimit në këtë bllok.

Sa i përket serbëve që jetojnë jashtë kufijve të Serbisë, Saiçiq ka deklaruar se ata përbëjnë një komb, por ka shtuar se duhet të respektohen organizimet shtetërore të vendeve të tjera.

“Detyra e Qeverisë së re duhet të jetë që të bashkojë popullatën serbe e jo të krijojë ndarje false dhe të panevojshme, siç ka bërë Qeveria paraprake në Mal të Zi dhe në Republikën Sërpska dhe gjetiu”, ka thënë ai.

Saiçiq është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe profesor i kimisë. Megjithatë, kandidimi i tij për president po shoqërohet me deklarata politike që rikthejnë në diskursin publik pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës./lajmi.net/