Policia forcon bashkëpunimin me SHBA-në në luftën kundër krimit transnacional
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka zhvilluar takim njohës me këshilltarin e ri dhe ekspertin për çështjet e krimit transnacional të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë – Programit Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnim në Hetimin Penal (DOJ-ICITAP). Takimi është zhvilluar më 11 shtator 2026,…
Lajme
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka zhvilluar takim njohës me këshilltarin e ri dhe ekspertin për çështjet e krimit transnacional të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë – Programit Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnim në Hetimin Penal (DOJ-ICITAP).
Takimi është zhvilluar më 11 shtator 2026, ndërsa Hoxha ka qenë i shoqëruar nga zyrtarë të menaxhmentit të lartë të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë takimit është diskutuar për prioritetet kryesore të institucionit dhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën kundër krimit transnacional.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka shprehur gatishmërinë e plotë të institucionit për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Ambasadën e SHBA-së, DOJ-ICITAP-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Hoxha ka theksuar se ky bashkëpunim është thelbësor për forcimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës në përballjen me organizatat kriminale transnacionale.
Gjatë takimit, ai ka shprehur edhe mirënjohjen e Policisë së Kosovës për mbështetjen afatgjatë të ofruar nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht përmes programit DOJ-ICITAP.
Takimi është zhvilluar në një datë simbolike për partnerët amerikanë, ndërsa Hoxha iu është bashkuar atyre në përkujtimin e viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Sipas Policisë së Kosovës, Hoxha ka vlerësuar ndikimin që këto ngjarje kanë pasur në zbatimin e ligjit dhe punën policore në mbarë botën, duke ndikuar në zhvillimin e qasjeve të reja për parandalimin dhe reagimin ndaj terrorizmit, si dhe në përgatitjen e institucioneve për t’u përballur me kërcënimet e reja të sigurisë.
Në përfundim të takimit, palët janë zotuar për forcimin e partneritetit afatgjatë ndërmjet Policisë së Kosovës, Ambasadës së SHBA-së, INL-it dhe ICITAP-it, si dhe për vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër krimit transnacional.
Këshilltari i ri i misionit ka qenë i shoqëruar nga drejtori i zyrës INL pranë Ambasadës së SHBA-së dhe ndihmës-zëvendësdrejtori nga zyra qendrore e ICITAP-it.