Po i vije era titull, Liverpool triumfon në stil kampioni ndaj Man Cityt

Liverpool ka triumfuar në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit deri tani.

Sport

10/11/2019 19:23

‘Të Kuqtë’ kanë hedhur një hap të madh drejt titullit të Premierligës, pasi kanë mposhtur në ‘Anfield’ rivalin direkt Manchester City me rezultat 3-1.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për vendasit që shënuan dy gola të shpejtë me Fabinho (6’) dhe Mohamed Salah (13’), të dy të kontestueshëm.

Goli i brazilianit erdhi si rjedhojë e prekjes së topit me dorë të Alexandre-Arnold në zonën e rrezikshme paraprakisht, por gjyqtari heshti.

Kryesori Michael Oliver heshti gjithashtu edhe në golin e anësorit egjiptian, që u dyshua për pozicion jashtë loje.

Ndeshja vazhdoi, me protesta nga ‘Qytetarët’ që kërkonin të rihapnin ndeshje por pa rezultat.

Sadio Mane (51’) vulosi shpresat e Cityt dhe realizoi për 3-0, para se Bernardo Silva (78’) të shënonte për rezultatin final 3-1.

Në vazhdim ndodhi edhe një episod mjaft kontravers, kur sërish Alexandre-Arnold luajti me dorë brenda zonës dhe gjyqtari anipse afër, nuk vendosi të akordonte 11-metërsh.

Kjo fitore e skuadrës së Jurgen Klopp çon në nëntë pikë diferencën me Cityn, që tani zë vendin e katërt me 25 pikë. /Lajmi.net/