Plani i trajnerit të Barcës për të mposhtur Realin

Mes 75.615 spektatorëve të pranishëm të mërkurën në shkallët e stadiumit “Santiago Bernabeu” për ndeshjen mes Realit të Madridit dhe Machester City ishin dy “spiunë”.

Sport

29/02/2020 11:17

Bëhet fjalë për Quique Setien dhe ndihmësin e tij te Barcelona, Eder Sarabia. Trajneri i Barcelonës kishte zënë vend në tribunën e stadiumit, duke mbajtur shënim të gjitha lëvizjet e lojtarëve të Zinedin Zidanit, të cilët do të jenë rivali i tij ditën e nesërme në La Liga.

Kike Setien nisi të vëzhgonte mënyrën se si Mançester Siti dhe trajneri i tij i preferuar, Pep Guardiola, ia doli që të nxirrte nga shinat skuadrën e Realit në minutat e fundit të ndeshjes duke përmbysur rezultatin. Ia doli duke sulmuar nga krahu i majtë i sulmit. Setien vëzhgoi nga afër rrezikun që përhap Vinicius Xhunior sa herë ka topin dhe lëvizjet e mesfushorëve të Realit të Madridit, të cilët bëjnë presing dhe e detyrojnë skuadrën që të humbasë topin në zona të rrezikshme të fushës.

TAKIM ME PEPIN

Por Kike Setien nuk u mjaftua vetëm me vëzhgimin e lojës nga tribuna e “Bernabeut”. Ai bashkë me trajnerin e dytë të Barcelonës vendosën që të akomodoheshin në hotelin ku qëndroi Mançester Siti dhe në orët e vona pas ndeshjes përfitoi që ta takonte nga afër Guardiolën, i cili është gjithashtu miku i tij. Setien e vlerësoi Pepin për mënyrën se si e kishte përgatitur këtë ndeshje dhe si e theu Zinedin Zidanin. Të dy kaluan shumë orë nën shoqërinë e njëri-tjetrit dhe Guardiola i dha këshilla Setienit. Ky i fundit i pranoi me kënaqësi dhe tani kërkon që t’i vërë në zbatim në fushën e lojës kundër madrilenëve.Pep-Guardiola-pre-Madrid

STËRVITJA

Ditën e djeshme, Kike Setien ishte më shumë se kurrë protagonist në stërvitjen e Barcelonës. Kërkoi që lojtarët t’i zbatonin me përpikmëri dhe të ishin të saktë në gjithçka që bënin në këto seanca, sepse do të shërbenin edhe për strategjinë e ndeshjes. Trajneri e di shumë mirë që ka një shans të artë për të “vrarë” kampionatin nëse mund Realin e Madridit dhe të shtojë besimin në radhët e skuadrës së tij. Pas takimit me Guardiolën, numri një i katalanasve ka krijuar disa koncepte për t’ia përçuar skuadrës së tij. “Dua që ta zotërojmë topin”, bërtiti trajneri në disa raste gjatë ndeshjes stërvitore.

Ai kërkon nga ekipi që të kontrollojë sa më shumë topin, në mënyrë që t’i limitojë sa më shumë. “Duhet t’i bëjmë të vrapojnë pas topit”, i këshillonte trajneri Setien lojtarët e Barcelonës. Këta të fundit u befasuan në fundin e seancës stërvitore dhe thanë se ka qenë përgatitja më intensive që nga koha kur Setien ka marrë drejtimin e skuadrës. Shihet qartazi se zotërimi i topit do të jetë një nga armët kryesore të ndeshjes mes Realit të Madridit dhe Barcelonës./Panoramasport/