Plagosja me armë zjarri në Nashec të Prizrenit, arrestohet i dyshuari
Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri sot, rreth orës 12:37, në fshatin Nashec të Prizrenit. Rastin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Toger Tahir Kabashi, i cili ka bërë të ditur se policia ka pranuar informatën për një person të plagosur dhe se patrullat…
Lajme
Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri sot, rreth orës 12:37, në fshatin Nashec të Prizrenit.
Rastin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Toger Tahir Kabashi, i cili ka bërë të ditur se policia ka pranuar informatën për një person të plagosur dhe se patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, duke menaxhuar situatën.
Sipas Kabashit, viktimës i është ofruar ndihma e parë mjekësore nga ekipi i emergjencës dhe më pas është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Nga mjekët është konfirmuar se i plagosuri, për momentin, ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
“Sot me datën 16.12.2025 rreth orës 12:37 Policia e Kosovës ka pranuar informacionin për një person të plagosur me armë zjarri në fsh Nashec të Prizrenit. Patrulla policore menjëherë i është përgjigjur informatës ku ka menagjuar me vendin e ngjarjes. Viktimës i është dhënë ndihma e parë mjeksore nga urgjenca dhe i njejti është hospitalizuar për mjekim në spitalit rajonal të Prizrenit. I njëjti sipas mjekeve për momentin është jashtë rrezikut për jetë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Publik i shtetit dhe në bashkërendim me prokurorin e shtetit po ndërmerren të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka thënë Kabashi.
Tutje, policia ka arrestuar personin e dyshuar lidhur me këtë rast, ndërsa në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë zjarri me dy karikatorë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe, në koordinim me të, Policia e Kosovës po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Lajmi.net/