Përplasja Gola-Maliqi për “tensionet ndëretnike”: Deputeti i VV-së i kërkon fakte dhe e ironizon me “qyftet”
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, i është kundërpërgjigjur analistit Agon Maliqi lidhur me debatin për marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, duke thënë se konstatimet për tensione ndëretnike duhet të mbështeten në fakte. Përmes një postimi në Facebook, Gola ka thënë se arsyeja pse nuk përmend emra në postimet e tij nuk është mungesa e guximit,…
Lajme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, i është kundërpërgjigjur analistit Agon Maliqi lidhur me debatin për marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, duke thënë se konstatimet për tensione ndëretnike duhet të mbështeten në fakte.
Përmes një postimi në Facebook, Gola ka thënë se arsyeja pse nuk përmend emra në postimet e tij nuk është mungesa e guximit, por përpjekja që debati të mbahet në nivelin e parimit dhe argumentit.
Ai ka kritikuar Maliqin për atë që e ka cilësuar si personalizim të debatit, duke iu referuar edhe disa shprehjeve të përdorura nga analisti.
“Agon Maliqi, arsyeja pse unë nuk përmendi emra në postimet e mia nuk është mungesa e guximit. Është përpjekja që debatin ta mbaj në nivelin e parimit dhe të argumentit. E pse ti e ke gjetë emrin tënd në kritikën time parimore është problemi yt”, ka shkruar Gola.
Gola është ndalur edhe te përdorimi i termit “strained relations”, duke thënë se në kontekstin e marrëdhënieve politike dhe ndëretnike, ai mund të përkthehet si “marrëdhënie të tensionuara”.
Sipas tij, thelbi i kritikës së tij ka qenë që për çështje të ndjeshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, duhet të ofrohen fakte.
Ai ka kundërshtuar edhe përdorimin e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës si dëshmi për tensione ndëretnike.
“Cilët serbë? Të cilës pjesë të Kosovës? Cilat sulme? Në çfarë përmasash? Dhe, mbi të gjitha, pse një sulm ndaj policisë duhet automatikisht të lexohet si tregues i konfliktit ndëretnik?”, ka shkruar Gola.
Deputeti i VV-së ka argumentuar se një sulm ndaj policisë nuk nënkupton automatikisht konflikt etnik, duke përmendur si mundësi edhe sulmet kriminale apo grupet që mund të kenë interesa të tjera.
Gola ka thënë se nuk ka pretenduar se në Kosovë ekziston “harmoni e plotë ndëretnike”, por vetëm se qëndrimet për marrëdhënie të tensionuara ndëretnike duhet të mbështeten në fakte.
Në fund, ai e ka ironizuar debatin duke iu referuar shprehjes “qyfte” të përdorur nga Maliqi.
“Dhe për fund: ndoshta kërkesa ime për fakte të duket ‘qyfte’, por ironia është se, edhe pasi ke shkruar gjithë atë shkrim për qyftet, nuk ke qenë në gjendje të flasësh as minimalisht për mishin e argumentit”, ka shkruar Gola. /Lajmi.net/