Përparim Rama e promovoi me shumë bujë renovimin 1.2 milionë eurosh të Kurrizit, tuneli mbushet me ujë pas reshjeve

Reshjet e shiut që kanë rënë pas mesnatës kanë shkaktuar grumbullim të ujit në tunelin e Kurrizit, në lagjen Dardania të Prishtinës. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë se një pjesë e tunelit është mbushur me ujë, duke ngritur pikëpyetje për funksionalitetin e infrastrukturës dhe sistemin e largimit të ujërave pas reshjeve, transmeton lajmi.net.…

Lajme

14/11/2026 12:03

Reshjet e shiut që kanë rënë pas mesnatës kanë shkaktuar grumbullim të ujit në tunelin e Kurrizit, në lagjen Dardania të Prishtinës.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë se një pjesë e tunelit është mbushur me ujë, duke ngritur pikëpyetje për funksionalitetin e infrastrukturës dhe sistemin e largimit të ujërave pas reshjeve, transmeton lajmi.net.

Ajo që e bën edhe më të diskutueshme këtë situatë është fakti se tuneli iu nënshtrua një renovimi që i kushtoi Komunës së Prishtinës hiq më pak se 1.2 milionë euro.

Projekti i quajtur “Renovimi artistik dhe infrastrukturor i tunelit të Kurrizit” u promovua me pompozitet nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili mori pjesë edhe në ceremoninë e përurimit të tij më 28 qershor 2025.

Me atë rast, Rama e kishte cilësuar projektin si transformim të një prej pjesëve më ikonike të kryeqytetit, duke premtuar një hapësirë moderne me ndriçim, ventilim, shtigje për biçikleta dhe mundësi për aktivitete kulturore.

Kontrata fillestare për renovimin kapte vlerën prej 1 milion e 229 mijë eurosh, ndërsa për projektin ishte lidhur edhe një kontratë shtesë prej mbi 120 mijë eurosh, sipas raportimeve të mëhershme të mediave.

Tash, pas reshjeve të shiut, pamjet e tunelit të mbushur me ujë rikthejnë në vëmendje pyetjet për cilësinë e punimeve, funksionimin e sistemit të drenazhimit dhe mirëmbajtjen e kësaj hapësire.

Mbetet të shihet se si do ta sqarojë Komuna e Prishtinës këtë situatë dhe nëse do të ndërmerren masa për të parandaluar përsëritjen e saj./lajmi.net/