Kosova shpenzon pak nga buxheti për investime, projektet e papërfunduara barten vit pas viti

Para se të diskutohet ndarja e buxhetit për vitin 2027, duhet të analizohet efektiviteti i shpenzimit të parasë publike. Kështu vlerëson njohësi i ekonomisë, Fidan Qerimi, sipas të cilit realizimi i investimeve kapitale në Kosovë është vetëm 35 për qind, pavarësisht vlerave të larta të planifikuara dhe buxhetuara. Në një intervistë për KosovaPress, Qerimi thotë…

Lajme

14/11/2026 11:49

Para se të diskutohet ndarja e buxhetit për vitin 2027, duhet të analizohet efektiviteti i shpenzimit të parasë publike.

Kështu vlerëson njohësi i ekonomisë, Fidan Qerimi, sipas të cilit realizimi i investimeve kapitale në Kosovë është vetëm 35 për qind, pavarësisht vlerave të larta të planifikuara dhe buxhetuara.

Në një intervistë për KosovaPress, Qerimi thotë se projektet e parealizuara barten nga një vit në tjetrin, duke krijuar një grumbullim të investimeve të papërfunduara dhe duke mos sjellë zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve.

“Para se të diskutohet buxheti, do duhej të diskutohet efektiviteti i buxhetit. Ne po shohim që kemi një rritje jashtëzakonisht të lartë të investimeve kapitale, do të thotë të projektuara, të buxhetuara, por realizimi i tyre është në masën 35 për qind. Mosinvestimet e ngecura barten në vitin tjetër dhe po akumulohen, dhe krijohet përshtypja se jemi jashtëzakonisht shumë duke investuar në infrastrukturë, investimet kapitale, por fatkeqësisht, këto projekte janë një trashëgimi e viteve të tjera, të cilat duket sikur me një buxhet po i zgjidhim të gjitha problemet e Kosovës, e në fakt në terren dhe në jetën e qytetarëve po mbeten problemet e njëjta me vite të tëra”, tha Qerimi.

Ai thotë se Kosova ka nevojë për një orientim të qartë ekonomik dhe duhet të përqendrohet në sektorë me potencial për zhvillim. Në këtë drejtim, Qerimi veçon shërbimet teknologjike të kanë shënuar zhvillim dhe duhet të mbështeten edhe përmes sistemit të edukimit.

“Para se të ta orientojmë buxhetin, ne kemi një problem që nuk kemi një ekonomi të orientuar. Me një popullatë jashtëzakonisht të vogël, do të thotë si shtet, nuk mund të jemi, një shtet që prodhojmë dhe, krijojmë gjithçka. Do të duhej që, të orientohemi në disa fusha me të cilat ne do t’i avancojmë. Shërbimet teknologjike kanë pasur një, një zhvillim të mirë dhe këto shërbime ne duhet t’i orientojmë edhe sistemin e edukimit, që të përmirësojmë dhe të avancojmë, rininë tonë në këtë drejtim, që këto kompani të kenë mjaftueshëm edhe punëtorë, edhe jo vetëm në aspektin e vlerave, do të thotë sa persona janë në këtë fushë, por edhe në standardin e tyre, aftësitë e tyre që t’i përgjigjen kërkesave që, që janë, sepse këto kompani që ofrojnë shërbime të, të teknologjisë së informativës janë kompanitë që kanë marrëveshje me kompanitë botërore. Dhe ato kanë një standard jashtëzakonisht të lartë të kërkesave për kryerjen e shërbimeve”, tha Qerimi.

Sa i përket sektorit të bizneseve, ai veçon koston e energjisë elektrike si një prej problemeve që ndikon në konkurrencën e ndërmarrjeve kosovare.

Qerimi thotë se institucionet duhet të krijojnë kushte që bizneset të furnizohen me energji me çmime më të favorshme, në mënyrë që të ulen kostot e prodhimit dhe të rritet konkurrueshmëria e tyre.

“Fatkeqësisht, furnizimi me energji elektrike është një prej problemeve. Ne kemi pasur një periudhë jashtëzakonisht të gjatë kohore, ku i kemi favorizuar bizneset në aspektin e energjisë dhe kostos të energjisë, në kuptimin që të jemi më konkurrues në raport me tregjet ose me produktet e jashtme. Por në një fazë ku, ne kemi kaluar prej, një organizimi ose një favorizimi në një me një ndëshkim, jo që iu ofrojmë me tregun e Kosovës rrymën, por i kemi zhvendosur në treg ndërkombëtar, e që dihet që Kosova ka një, çmim shumë më të ulët për shkak të prodhimit të brendshëm që e kemi, do të thotë të energjisë, dhe këtë energji ne e kemi të lirë për shkak të pasurisë që e kemi. Do të duhej që ta përdorim si përparësi që t’iu ofrojmë, bizneseve një çmim të favorshëm të energjisë dhe të mos i ngarkojmë me kosto, sepse gara është kush del me kosto më të lirë të produktit, është determinuese edhe në çmim… 10:25 Normalisht, ndoshta shuarje nuk mund të them që, për shkak të energjisë do të shuhen por, që ju vështirëson, punën, që i bën më pak konkurruese në tregjet ndërkombëtare, edhe vendore, kjo padyshim se do të ndodhë”, tha Qerimi.

Ndërkaq, shqetësuese për qytetarët mbetet edhe rritja e çmimeve të produkteve bazë. Sipas Qerimit, në pesë vjetët e fundit inflacioni për këto produkte ka arritur rreth 45 për qind, ndërsa të ardhurat e qytetarëve nuk janë rritur në të njëjtën masë.

Ai kritikon mungesën e masave të qëndrueshme ekonomike për përballimin e shtrenjtimit.

“Fatkeqësisht nga një raport që sapo është publikuar, do të thotë kemi parë që për produktet bazë në pesë vitet e fundit kemi pas rreth 45 për qind inflacion. Fatkeqësisht ky inflacion nuk është përcjellë edhe me rritje të t ardhurave të qytetarëve edhe kjo ka bërë që të vështirësojë përballjen e qytetarëve me këtë dukuri. Fatkeqësisht, qeveria nuk është, që ka ndërmarrë ndonjë masë ekonomike, përveç masës së ndarjes së 100 eurove për disa kategori të qytetarëve, e cila masë nuk është reflektuar në mirëqenien të qytetarëve. Kjo nuk është një zgjidhje afatgjate, por e njëhershme. Qeveria duhet të ndërmerr politika fiskale dhe të përmirësojë sidomos jetën e qytetarëve, të cilët janë në vështirësi financiare për të mbijetuar”, tha Qerimi.

Derisa flet për deficitin tregtar dhe raportin ndërmjet importit dhe eksportit, Qerimi thotë se orientimi i ekonomisë së Kosovës kryesisht drejt tregtisë pas përfundimit të luftës ka ndikuar në krijimin e këtij hendeku.

Sipas tij, ndër vite nuk janë ndërmarrë politika të mjaftueshme për favorizimin e prodhimit vendor dhe krijimin e kushteve më të mira për bizneset kosovare.

“Ky hendek do të thotë ka qenë si rezultat i një periudhe të shkatërrimit të ekonomisë në vitet e para luftës. Pas luftës, ekonomia e Kosovës është orientuar kryesisht në tregti, e që tregtia do të thotë krijon import. Fatkeqësisht, me vite t tra, ne nuk kemi ndërmarrë një politikë me të cilën do të favorizonim prodhimin vendor, do të krijonim kushte më të mira për, për bizneset tona kosovare, fillimisht në tregun kosovar, që këto biznese të forcohen në aspektin edhe financiar, edhe të ekspertizës, që të krijojnë produkte dhe shërbime cilësore, që këto produkte dhe shërbime cilësore kur dalin në tregjet ndërkombëtare janë më konkurruese se produktet qoftë edhe të rajonit, sepse nëse marrim referencë Bashkimin Evropian, ne jemi jashtëzakonisht larg për ka standardi dhe konkurrueshmëria. Por, fillimisht ne duhet që të luftojmë si ekonomi, t’i përmirësojmë produktet dhe shërbimet tona në raport me konkurruesin rajonal, fqinjët tanë, e pastaj, do të thotë kur ne arrijmë standarde ballkanike, do të thotë të synojmë edhe standardet e BE-së”, nënvizon Qerimi.

Kosova ka importuar mallra në vlerë prej mbi 6,3 miliardë eurosh gjatë periudhës janar–tetor 2026, ndërsa eksportet arritën në 960 milionë euro. Sipas Doganës së Kosovës, importi shënoi rritje 8,5% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, kur vlera e mallrave të importuara ishte 5,81 miliardë euro, raporton KosovaPress.

Rritje më të theksuar në përqindje pati eksporti, i cili nga 774,8 milionë euro në 10 muajt e parë 2025 arriti në 960 milionë euro gjatë vitit 2026 ose 23,9% më shumë.