HISTORIKE | Trump, Putin dhe Xi Jinping pritet të takohen në Kinë, kjo raportohet se do të jetë tema kryesore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ai i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, pritet të zhvillojnë një takim trepalësh javën e ardhshme në qytetin Shenzhen të Kinës. Takimi pritet të mbahet në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), ndërsa konfirmimi për këtë zhvillim është bërë nga…

Bota

14/11/2026 10:17

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ai i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, pritet të zhvillojnë një takim trepalësh javën e ardhshme në qytetin Shenzhen të Kinës.

Takimi pritet të mbahet në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), ndërsa konfirmimi për këtë zhvillim është bërë nga Shtëpia e Bardhë, raporton lajmi.net.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, ka bërë të ditur se një ndër temat kryesore të diskutimit do të jetë çështja e reduktimit të armëve bërthamore në nivel global.

Sipas saj, presidenti Trump e konsideron përhapjen e armëve bërthamore si një kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare.

Ndërkohë, sipas raportimeve të BBC-së, në këtë takim pritet të diskutohet edhe situata në Iran, ndërsa lufta në Ukrainë nuk pritet të jetë pjesë e agjendës së diskutimeve.

Deri më tani, Rusia dhe Kina nuk kanë dhënë ndonjë konfirmim apo koment zyrtar lidhur me takimin e paralajmëruar.

Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se nuk presin që nga ky takim të arrihet ndonjë marrëveshje konkrete.

Trump pritet të mbërrijë në Shenzhen të mërkurën në mbrëmje, ndërsa samiti dyditor i APEC-ut do të mbledhë përfaqësues nga 21 shtete anëtare.

Gjatë qëndrimit në Kinë, presidenti amerikan do të zhvillojë të enjten edhe një takim të veçantë dypalësh me homologun kinez, Xi Jinping.

Ky do të jetë takimi i katërt mes Trumpit dhe Xi Jinpingut që nga rikthimi i presidentit amerikan në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025./lajmi.net/