Përfundon dekorimi i shesheve në Prishtinë që komunës i kushtoi 50 mijë euro

Kur afrohen festat e fundvitit, ajo çfarë padyshim i gëzon më së shumti qytetarët e Prishtinës, por edhe të shumë komunave të tjera është ngrohtësia që marrin nga dekorimi i shesheve.

Lajme

28/11/2021 21:21

Edhe këtë vit si në vitet e kaluara, Komuna e Prishtinës është përkujdesur që t’u ofrojë qytetarëve një pamje më të mirë, duke dekoruar sheshet aty ku edhe mblidhen më së tepërmi qytetarët përgjatë këtyre festave.

Të kontaktuar nga lajmi.net nga Komuna e Prishtinës kanë theksuar se tashmë dekorimi në sheshet e kryeqytetit kanë përfunduar.

Të njëjtit kanë bërë të ditur se gjithsej dekorimi i shesheve, komunës së Prishtinës i ka kushtuar 50 mijë euro.

“Dekorimi tashmë ka përfunduar. Gjithsej ka kushtuar 50.000 euro”, u tha në përgjigjen e komunës.

Por jo vetëm dekorimet janë ato që shohim shesheve të Prishtinës, pasi viteve të fundit është bërë zakon që të vendosen edhe këmbështëpiza nga të cilat qytetarët mund të shërbehen me kafe, çajra apo ushqime përgjatë qëndrimit të tyre në këtë anë.

Këtë vit nga Komuna e Prishtinës është mundësuar vendosja në numër edhe më të madh e këtyre këmbështëpizave.

Nga Zyra për Informim e Komunës së Prishtinës kanë saktësuar se janë afro 30 këmbështëpiza të vendosur këtë vit në qendër të qytetit.

“26-30 copa”, u tha shkurt në përgjigjen e komunës.

Kurse organizmi i njohur si “Verë n’Dimër” pritet të nis me datën 1 dhjetor të këtij viti.

Ky organizim i cili nis më 1 dhjetor do të zgjasë deri më 31 dhjetor, apo edhe në kohën kur veçse përfundojnë festat e fundvitit.

Nga Komuna e Prishtinës kanë bërë të ditur se nuk pritet që të ketë organizime të tjera në këto festa të fundvitit, por se organizimet do të jenë të njëjta si në të kaluarën në përgjithësi ato që çdoherë janë mbajtur në sheshet kryesore të vendit.

Tashmë qytetarë të shumtë, në mesin e tyre edhe shumë fëmijë veçse kanë nisur të vizitojnë sheshet e të shohin nga afër dekorimet që janë bërë nga Komuna e Prishtinës./Lajmi.net/