Agon Maliqi i jep “recetën” Kurtit pas tensioneve: Ka rastin ideal të tregohet shtetar, shërues dhe lider i përmasave të mëdha
Analisti Agon Maliqi ka komentuar situatën e krijuar në Prishtinë pas protestës dhe tensioneve të së hënës, duke i bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndërmarrë hapa për shtensionimin e situatës politike. Maliqi ka thënë se Kurti ka mundësi të tregojë, sipas tij, lidership në një situatë të tillë, duke propozuar që të kërkojë…
Lajme
Analisti Agon Maliqi ka komentuar situatën e krijuar në Prishtinë pas protestës dhe tensioneve të së hënës, duke i bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndërmarrë hapa për shtensionimin e situatës politike.
Maliqi ka thënë se Kurti ka mundësi të tregojë, sipas tij, lidership në një situatë të tillë, duke propozuar që të kërkojë bashkëpunim me partitë politike për çështjen e Presidentit dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Në këtë situatë Albin Kurti e ka rastin ideal me u tregu shtetar, shërues dhe lider i përmasave të mëdha. I takon atij që është në pozitën e të fortit që në momentet e thyerjeve të mëdha të sillet si më i rrituri”, ka shkruar Maliqi.
Ai ka propozuar që Kurti t’i ofrojë LDK-së mbështetje për cilindo kandidat për President që do të propozohej nga kjo parti.
“Nuk i kushton asgjë, për shembull, që nesër ta thërrasë LDK-në dhe t’u thotë ‘ua votoj cilindo kandidat që e propozoni për president e për të cilin i jepni të gjitha votat’”, ka deklaruar Maliqi.
Po ashtu, ai ka thënë se Kurti mund t’i ofrojë PDK-së dhe AAK-së mbështetje për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Nuk i kushton asgjë që t’i thotë PDK-së dhe AAK-së e votojmë ligjin për Specialen, kemi rezerva për zbatimin, por hajde shkojmë bashkë dhe e diskutojmë këtë punë me BE-në me forcën e shtetit prapa”, ka shkruar ai.
Maliqi ka propozuar gjithashtu që Kurti, në një fjalim në Kuvend, të bëjë thirrje për uljen e tensioneve mes protestuesve dhe Policisë.
“Nuk i kushton asgjë që nesër ta mbajë një fjalim në Kuvend ku thotë se ‘është e papranueshme që mes vete të rrahen veterani me veteranin, njëri polic e tjetri protestues’”, ka shkruar ai.
Sipas Maliqit, një qasje e tillë do të mundësonte shtensionimin e situatës dhe forcimin e stabilitetit institucional.
“Një lider i përmasave të mëdha, në këto rrethana prin duke e shtensionuar mllefin, projekton fuqi përmes maturisë, siguron stabilitet institucional dhe i jep fund një agonie dyvjeçare të krizave”, ka përfunduar Maliqi. /Lajmi.net/