“Peder, hajn i pulave, mafi e mercenarë”, Haradinaj ofendues ndër vite ndaj zyrtarëve shtetëror

“Mercenarë e mafiozë që mbyllen universitetet publike për t’i çuar në ato private”.

Lajme

16/07/2019 16:53

Këto ishin komentet dhe ofendimet që sot Haradinaj i drejtoi me mllef drejt Këshillit Shtetëror të Cilësisë, pas vendimit për mosakreditimin e Universiteteve të Pejës, Prizrenit e Mitrovicës, shkruan lajmi.net.

Madje Haradinaj nuk u mjaftua me kaq. Ai tha se në këtë Këshill ka dallavere dhe mafi.

Lexo edhe:

Haradinaj thotë se në Këshillin Shtetërorë të Cilësisë ka dallavere dhe mafi

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Haradinaj bën kësi lloj ofendimesh.

Në një deklaratë të bërë nga Kuvendi i Kosovës në mars të vitit të kaluar, Haradinaj e quante ‘hajn ordiner’ Blerim Rexhën, atë kohë i dorëhequr nga bordi i Agjencisë Kosovare të Akredimit.

Kryeministri këto ofendime ndaj Rexhës i kishte drejtuar në seancën e 7 marsit, ku po diskutohej përjashtimi i Kosovës nga Regjistri Evropian i Cilësisë.

Lexo po ashtu:

Shpërthen kryeministri Haradinaj: Blerim Rexha është një hajn ordiner

Në këtë rast nuk kishte munguar as kundërpërgjigja e Rexhës ndaj kryeministrit.

Ai kishte thënë se hajninë nuk e ka sjellur ai nga Austria, dhe se ai po ofendon në adresë të gabuar.

I ashpër Haradinaj ishte treguar edhe me prokurorin e dorëhequr, Elez Blakaj.

Në një paraqitje televizive, i kishte dhënë cilësimin e “hajnit të pulave”, ish-prokurorit që po hetonte listat e fryera të veteranëve.

Pak vite më parë, Haradinaj nuk i kishte kursyer  komentet ofenduese as ndaj Murat Mehës, ish-kryetar i Komisionit për Caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të cilin e kishte quajtuar “peder”.

Por, krejt ndryshe Haradinaj kishte reaguar kur ishte ofenduar nga të tjerët.

Në një protestë të zjarrfikësve të mbajtur në korrik të vitit të kaluar, Haradinaj ishte quajtur ‘hajn’ nga një protestues nga grupi që ishin mbledhur para Qeverisë.

Kryeministri edhe në këtë rast ishte treguar mjaft i mllefosur me akuzat që i ishin bërë.

“A ta kom vjedh nanën a babën a”, i ishte përgjigjur Haradinaj protestuesit.

Megjithatë, kryeministri mund të përballet me denoncim për shkak të ndërhyrjes në vendimin e KSHC-së.

Kjo është bërë e ditur sot nga një komunikatë e dërguar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Pas vendimit, KSHC paralajmëron denoncime për ndërhyrjet politike