Murati thirrje Kurtit dhe Ramës: Prishtina e Tirana të fillojnë një fushatë diplomatike në mbrojtje të katërshes së UÇK-së

Ligjëruesi i shkencave politike, Valon Murati, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Më 16 shtator, Gjykata i dënoi Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 dhe Selimin me 13 vjet, ndërsa vendimi është i…

Lajme

17/09/2026 19:12

Ligjëruesi i shkencave politike, Valon Murati, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Më 16 shtator, Gjykata i dënoi Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 dhe Selimin me 13 vjet, ndërsa vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet, transmeton lajmi.net.

Në një postim në rrjetet sociale, Murati ka bërë thirrje për qetësi dhe koordinim politik e institucional pas vendimit.

“Asnjë situatë nuk duhet të na fus në gjendje paniku e në veprime të pamatura”, ka shkruar Murati.

Ai ka vlerësuar se vendimi i Dhomave të Specializuara “do të duhej të nxiste një kontekst uniteti kombëtar”, duke përmendur edhe mundësinë e protestave masive e paqësore.

Murati ka propozuar që fokusi të vendoset në koordinimin politik dhe institucional brenda Kosovës, me Shqipërinë dhe me partnerët ndërkombëtarë, për trajtimin e dy çështjeve.

Sipas tij, njëra prej tyre është shqyrtimi nëse ekziston ndonjë mundësi juridike për zhbërjen e Gjykatës, ndërsa në rast se kjo nuk është e mundur, ai kërkon që burimet njerëzore dhe profesionale të orientohen drejt mbrojtjes së katër të dënuarve në procedurën e apelit.

“Prishtina e Tirana të fillojnë një fushatë diplomatike në mbrojtje të të katër të akuzuarve”, ka shkruar Murati.

Postimin e tij ai e ka përmbyllur me thirrjet: “Liri për çlirimtarët. Rroftë UÇK-ja!”./lajmi.net/