Kurti takon Hamzën pas aktgjykimit në Hagë: Diskutojnë hapat për ndryshimin e vendimit në apel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Në takim, Kurti dhe Hamza kanë diskutuar për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup…

Lajme

17/09/2026 17:33

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Në takim, Kurti dhe Hamza kanë diskutuar për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke shkëmbyer qëndrimet dhe përshtypjet e tyre lidhur me vendimin, raproton lajmi.net

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti e ka vlerësuar aktgjykimin si të padrejtë dhe të rëndë, duke theksuar se ai duhet të ndryshohet në shkallën e apelit.

Dy liderët kanë diskutuar edhe për rrugët dhe mënyrat që mund të ndiqen në vazhdim, me synimin për të adresuar pasojat e vendimit dhe për të kërkuar korrigjimin e tij përmes procedurave të mëtutjeshme ligjore.

Kurti dhe Hamza janë zotuar për komunikim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë për çështjet që lidhen me interesin publik, shtetëror dhe kombëtar.

Në takim është folur edhe për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rrethanat në të cilat ajo u zhvillua.

Kurti ka deklaruar se rezistenca e popullit të Kosovës dhe lufta çlirimtare ishin të domosdoshme në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

Sipas tij, UÇK-ja ishte përgjigje organizative e shqiptarëve ndaj regjimit të atëhershëm të Jugosllavisë së udhëhequr nga Slobodan Millosheviqi.

Në këtë kontekst, Kurti ka përmendur represionin sistematik, mohimin e të drejtave themelore, spastrimin etnik dhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Takimi Kurti-Hamza zhvillohet një ditë pas aktgjykimit të shkallës së parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së./Lajmi.net/