PDK tërhiqet nga seancat e Kuvendit: Kushtetuta nuk është pazar politik, fjalën duhet ta thotë Kushtetuesja

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese për situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit. Në një komunikatë, PDK-ja ka thënë se procesi ka hyrë në një fazë që kërkon “qartësi përfundimtare kushtetuese”, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje…

Lajme

13/09/2026 09:59

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese për situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit.

Në një komunikatë, PDK-ja ka thënë se procesi ka hyrë në një fazë që kërkon “qartësi përfundimtare kushtetuese”, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të afateve dhe bllokim të procesit.

PDK ka rikujtuar se, sipas saj, Kuvendi është dashur të konstituohet brenda afatit 30-ditor, më së largu deri më 7 gusht, ndërsa ka thënë se edhe afati i vendosur më pas, 6 shtatori, nuk është respektuar.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votimin e opozitës për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike”, thuhet në komunikatë.

PDK ka deklaruar se kishte marrë pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit me qëllim të përmbylljes së procesit, por pretendon se në të dyja rastet procesi ishte penguar nga LVV-ja përmes çështjeve që lidhen me zgjedhjen e nënkryetarëve të opozitës.

Sipas PDK-së, kjo parti e kishte votuar kandidatin e LVV-së për nënkryetar, ndërsa LVV-ja nuk e kishte votuar kandidaten e PDK-së.

Partia ka bërë të ditur se ekspertët e saj janë duke përgatitur rastin që do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për procesin në tërësi.

“Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit”, thuhet më tej në komunikatë.

Në fund, PDK ka kërkuar që të përfundojnë, siç i ka quajtur, “afatet e shkelura, kushtet e reja dhe pazaret politike”, duke theksuar se “tani fjalën duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese”. /Lajmi.net/