PDK: Qeveria të ndalë dhunën ndaj protestuesve dhe t’i përgjigjet kërkesës për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në

Partia Demokratike e Kosovës ka dënuar ashpër përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve që po protestojnë për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në. Në një reagim, PDK-ja ka kërkuar nga Qeveria përgjegjësi të menjëhershme dhe nga organet shtetërore ndaljen e çdo veprimi joproporcional ndaj protestuesve. “PDK kërkon nga organet shtetërore të ndalin dhunën ndaj protestuesve. Masat…

Lajme

05/10/2026 21:19

Partia Demokratike e Kosovës ka dënuar ashpër përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve që po protestojnë për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në.

Në një reagim, PDK-ja ka kërkuar nga Qeveria përgjegjësi të menjëhershme dhe nga organet shtetërore ndaljen e çdo veprimi joproporcional ndaj protestuesve.

“PDK kërkon nga organet shtetërore të ndalin dhunën ndaj protestuesve. Masat e përdorura ndaj një proteste që ka qenë e qetë për 20 ditë me radhë janë tërësisht joproporcionale dhe të papranueshme”, thuhet në reagim.

Sipas PDK-së, lufta e UÇK-së është pjesë e pandashme e historisë, identitetit dhe lirisë së Kosovës, ndërsa mbrojtja e kësaj trashëgimie është përgjegjësi qytetare dhe shtetërore.

PDK ka theksuar se, sipas saj, nuk ka pengesë ligjore për miratimin e ligjit dhe ka kërkuar që procesi të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme.

“Zvarritja e mëtejshme është e pajustifikueshme dhe përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të kërkesës së qytetarëve”, thuhet në reagim.

Partia ka kritikuar edhe përdorimin e forcës nga institucionet e sigurisë, duke thënë se ato duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe të mbrojnë të drejtat e tyre.

“Asnjë urdhër politik nuk mund ta justifikojë dhunën ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën për protestë”, ka deklaruar PDK-ja.

Në fund, PDK u ka bërë thirrje të gjitha grupeve parlamentare dhe deputetëve që të veprojnë pa vonesë dhe ta përmbyllin miratimin e ligjit që mbron UÇK-në. /Lajmi.net/