PDK-ja premton fitore më të thellë se në dy palë zgjedhjet e kaluara

Në Malishevë dhe gjithandej Kosovës i kemi njerëzit më të dëshmuar në luftë e në paqe, në optimizëm, në dinamikë, në zhvillim, në projekte, njerëz të dëshmuar historikisht, deklaroi lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi. 

Lajme

03/06/2014 01:15

Kreu i PDK-së tha se tashmë kanë filluar festimet për fitoren e PDK më 8 qershor në zgjedhjet parlamentare.

Ai, para qytetarëve të Malishevës, përmendi fondin 1.5 miliard eurosh të punësimit, nga i cili, përsëriti se do të gjenerohen 200 mijë vende të reja të punës, 500 milionë euro prej tyre do të dedikohen për bujqësi me 50 mijë vende të reja pune.

Sot, sikurse në Gjakovë e Rahovec, Thaçi ka përmendur edhe rritjen tjetër të rrogave për të gjitha kategoritë që kanë marrë me rritje pagat e tyre nga 1 maji.

“Anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, qytetarë të dashur të Malishevës, mbështetja kaq masive për Misionin e Ri këtu në Malishevë është mesazhi i fitores sonë të madhe, mesazhi se ne si mision i ri kemi tejkaluar kornizat partiake. Ne jemi misioni i vullnetit dhe dëshirës së qytetarëve të Kosovës. Unë ju zotohem të gjithë juve, Partia Demokratike e Kosovës do të shënojë fitore të thellë spektakolare, historike, më të thellë se në vitin 2007 dhe 2010”, deklaroi Thaçi, raporton KosovaPress.