PDK-ja opozitës: Mos i keqpërdorini pakënaqësinë e qytetarëve për përfitime politike

Partia Demokratike e Kosovës respekton të drejtën ligjore, kushtetuese dhe demokratike të qytetarëve për të protestuar por, për PDK-në janë të papranueshme thirrjet kërcënuese dhe ultimative ndaj institucioneve legjitime.

Lajme

26/01/2015 18:52

Partia Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje për thirrjet që debatet nga Parlamenti të barten në sheshe, ngase paraqesin rrezik për funksionimin e demokracisë, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

“Aktet e dhunës ndaj institucioneve, Policisë së Kosovës, pronës private, si dhe sulmet fizike ndaj qytetarëve që nuk i janë bashkuar protestës, janë krejtësisht të papranueshme.  Njëherësh, PDK dënon ashpër sulmet edhe ndaj gazetarëve”.

Po ashtu, PDK konsideron se deklaratat e papërgjegjshme të çdo ministri që nxisin tensione ndëretnike janë të papranueshme për realitetin e ri politik.

“Partia Demokratike e Kosovës dënon sulmet ndaj përfaqësive diplomatike, e që po këto përfaqësi janë prej shteteve të para që kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës”.

Në komunikatë më tutje thuhet se PDK fton qytetarët e Republikës së Kosovës që të kenë besim në institucionet kushtetuese, ku është vendi të shtrohen dhe zgjidhen të gjitha pakënaqësitë e qytetarëve.

“PDK kërkon nga partitë politike parlamentare që të reflektojnë përgjegjësi publike ndaj qytetarëve dhe institucioneve dhe të shmangen nga keqpërdorimi i pakënaqësive reale të qytetarëve me qëllim të përfitimeve politike”, përfundon komunikata e PDK-së.