PDK i kërkon Qeverisë të ndalë “dhunën” ndaj protestuesve

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se e “dënon ashpër” përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve që po protestojnë për miratimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Speciale, i cili “mbron UÇK-në”. Në një komunikatë për media, partia opozitare që i inicioi këto ndryshime që kaluan në parim, tha se kërkon nga Qeveria “përgjegjësi të menjëhershme…

Lajme

05/10/2026 22:11

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se e “dënon ashpër” përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve që po protestojnë për miratimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Speciale, i cili “mbron UÇK-në”.

Në një komunikatë për media, partia opozitare që i inicioi këto ndryshime që kaluan në parim, tha se kërkon nga Qeveria “përgjegjësi të menjëhershme dhe nga organet shtetërore ndaljen e çdo veprimi joproporcional që po cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për protestë”.
Ajo i bëri thirrje partisë në pushtet të kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, të kthehet në Kuvend për miratimin e ndryshimeve në lexim të dytë.

“PDK rithekson se nuk ka asnjë pengesë ligjore për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në dhe përmbylljen e këtij procesi. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Qeveria në opinionin e saj. Prandaj, zvarritja e mëtejshme është e pajustifikueshme dhe përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të kërkesës së qytetarëve”, tha ajo.

Kuvendi i miratoi në parim ndryshimet në ligjin për Specialen, por ato duhet të kalojnë edhe në lexim të dytë për të pasur efekt.

Ndryshimet nuk u hodhën në votim pasi partia në pushtet e Kurti kërkon që, fillimisht, Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, afati për të cilin mbaron pas rreth 24 orëve.

PDK-ja ka thënë se do ta mbështeste zgjedhjen e presidentit, por kërkon që së pari të kalojnë ndryshimet në ligjin për Specialen.

Sa për t’jua kujtuar, Kurti dhe lider i PDK-së, Bedri Hamza, zhvilluan takim disa orë më parë për këto dy çështje, por nuk arritën pajtueshmëri.