Pas shkarkimit të Blerim Isufajt, Dren Paca emërohet ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Speciales
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur që Dren Paca të jetë ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, pas shkarkimit të Blerim Isufajt nga kjo pozitë. Vendimi për shkarkimin e Isufajt është marrë sot në një mbledhje të jashtëzakonshme të KPK-së, ku gjashtë anëtarë votuan pro, ndërsa një ishte kundër, transmeton lajmi.net. Në qendër të…
Lajme
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur që Dren Paca të jetë ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, pas shkarkimit të Blerim Isufajt nga kjo pozitë.
Vendimi për shkarkimin e Isufajt është marrë sot në një mbledhje të jashtëzakonshme të KPK-së, ku gjashtë anëtarë votuan pro, ndërsa një ishte kundër, transmeton lajmi.net.
Në qendër të diskutimeve ishte performanca e Isufajt gjatë drejtimit të Prokurorisë Speciale.
Vendimi është marrë pavarësisht thirrjes së Institutit të Kosovës për Drejtësi që KPK-ja të mos ndërmarrë veprime të ngutshme dhe që procesi i vlerësimit të zhvillohet në mënyrë të drejtë, profesionale dhe të pavarur.
IKD kishte theksuar se përgjegjësia institucionale duhet të shoqërohet me procedura të qarta dhe të bazuara në ligj, duke pasur parasysh rolin e Prokurorisë Speciale në hetimin e rasteve të krimit të organizuar dhe krimit transnacional.
Instituti kishte ngritur si shembull edhe rastin e ish-ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas IKD-së, KPK kishte vendosur për shkarkimin e tij në fund të vitit 2025, por ky vendim ishte anuluar nga Gjykata Supreme në dhjetor të po atij viti.
IKD kishte kërkuar që çdo vendim për pozitën e një kryeprokurori të mbështetet në Kushtetutë, ligj dhe praktikën gjyqësore, ndërsa performanca të matet përmes kritereve objektive dhe indikatorëve të qartë.
Me vendimin e sotëm, Dren Paca merr përkohësisht drejtimin e Prokurorisë Speciale pas përfundimit të mandatit të Isufajt./lajmi.net/