​Pas fitores ndaj Irlandës, Krasniqi paralajmëron Austrinë

Kosova shënoi fitore 1-0 ndaj Irlandës të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në një ndeshje ku “Dardanët” patën iniciativën dhe krijuan disa raste për gol. Vedat Muriqi ishte vendimtar për Kosovën, duke shënuar shtatë minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Kapiteni përfitoi nga një top i kthyer në zonë dhe realizoi nga…

Sport

25/09/2026 15:58

Kosova shënoi fitore 1-0 ndaj Irlandës të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në një ndeshje ku “Dardanët” patën iniciativën dhe krijuan disa raste për gol.

Vedat Muriqi ishte vendimtar për Kosovën, duke shënuar shtatë minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Kapiteni përfitoi nga një top i kthyer në zonë dhe realizoi nga afërsia për t’i dhënë Kosovës fitoren.

Në aksionin e golit kontribuoi edhe Ermal Krasniqi, i cili u inkuadrua në minutën e 73-të, ndërsa ka folur sot për fitoren e Kosovës ndaj Irlandës, si dhe për ndeshjen e radhës ndaj Austrisë.

Ai foli për vështirësitë e pjesës së parë, ku Kosova e kishte të vështirë të gjente golin.

“Ishte e vështirë në pjesën e parë të shënonim gol, sepse kundërshtari qëndronte shumë në mbrojtje dhe luante vetëm me topa të gjatë. Por ne bëmë një paraqitje shumë të mirë dhe shumë pozitive, krijuam raste. Ishte çështje minutash që të vinte goli dhe në fund erdhi. Besoj që e merituam fitoren”, tha ai.

Tutje, Krasniqi vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe theksoi rëndësinë e gatishmërisë së të gjithë lojtarëve.

“Bëmë një paraqitje të mirë dhe pozitive dhe besoj se e merituam fitoren. Të gjithë lojtarët që janë në bankë duhet të qëndrojnë gati, sepse mund ta ndryshojnë lojën”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi foli edhe për sfidën e radhës ndaj Austrisë, duke theksuar se Kosova do të kërkojë rezultat pozitiv.

“Normalisht, Austria mund të themi që është favorit i grupit, por nëse veçse luajmë si grup dhe si dje, besoj që edhe atje mund ta arrijmë një fitore, pse jo”, përfundoi Krasniqi.

Kosova fokusin tashmë e ka te ndeshja e radhës, ku të dielën do të përballet me Austrinë në Vjenë, nga ora 18:00.