Partitë politike të gatshme për zgjedhje

Të premten që e lamë pas, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Lajme

21/07/2019 23:40

Për shkak të ftesës në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale, Ramush Haradinaj, të premten e kaluar ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Me dorëheqjen e tij, nënkupton që ka rënë edhe Qeveria.

Që nga e premtja, e deri më sot, partitë politike kanë kërkuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi që të caktojë datën e zgjedhjeve dhe janë shprehur të gatshme që t’i hyjnë garës së zgjedhjeve, shkruan lajmi.net.

Se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme pas dorëheqjes së Haradinajt e ka thënë edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Vesei.

Veseli gjatë ditës së djeshme ka thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, madje tha se ato janë të pashmangshme.

“Tashmë, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhje, kurdo që caktohen ato. Ajo që mund të diskutohet tash është vetëm koha kur ato duhet të mbahen. Për këtë, besoj se do të kemi konsulta edhe me partnerët e koalicionit të deritashëm dhe me partitë tjera politike, në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi”, deklaroi dje Veseli.

E gatshme për zgjedhje është shprehur edhe partia e Isa Mustafës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka kërkuar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, që sa më shpejt ta caktojë datën e zgjedhjeve.

“LDK kërkon nga presidenti i Republikës që ta ushtrojë detyrën kushtetuese dhe ta caktojë datën e zgjedhjeve sa më shpejtë. Nuk ka nevojë të thellohet kriza politike. Vendi, situata aktuale politike dhe vetë akti i dorëheqjes kërkon legjitimitet politik e jo formula artificiale për të vazhduar mandatin për ndonjë javë ose muaj. Çdo tendencë për zhagitje i përngjan vetë koalicionit PAN, i cili sot është zhag për toke. Kjo është arsyeja që gjithmonë e kemi bërë përgjegjës PAN-in për gjendje në vend, e jo veç kryeministrin. Pra, zgjedhjet i përcakton sovrani e jo PAN-i”, ka deklaruar Haziri, shkruan lajmi.net.

Edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që sa më shpejt ta caktojë datën e zgjedhjeve.

“Presidenti Hashim Thaçi duhet të na thërras për ta caktuar datën e zgjedhjeve – kaq. Kosova, sot, nuk ka qeveri dhe Kosova duhet të bëhet me qeveri të re – për këtë duhet të flasin qytetarët. Kosova ka nevojë për shpresë, për zgjedhje dhe për qeveri të ri”, ka deklaruar Kurti gjatë ditës së djeshme.

Se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe se nuk ka nevojë për Qeveri teknike, e ka thënë edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Ai ka thënë se nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të parakohshme dhe se partia e tij është e gatshme për zgjedhje.

“Me dorëheqjen e Haradinajt vendi automatikisht shkon në zgjedhje. Të gjitha procedurat duhet të respektohen por gjendja faktike është kjo, vendi do të shkojë në zgjedhje. Nisma është e përgatitur për zgjedhje dhe unë nuk futem në asnjë kombinim pa shku te vota e qytetarit”, kishte deklaruar Limaj.

Edhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, ka thënë se zgjedhjet janë të domosdoshme.

“Nuk ka arsye për qeveri teknike. Ne aspektin demokratik të legjitimitetit, zgjedhjet janë të domosdoshme. Edhe për legjitimitet edhe për ndryshim”, kishte deklaruar Ahmeti, shkruan më tutje lajmi.net.

Edhe Lista Serbe gjatë ditës së sotme është deklaruar rreth pjesëmarrjes së saj në zgjedhjet e parakohshme.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka rënë në momentin kur kjo parti u largua nga Qeveria e jo tani kur Haradinaj ka dhënë dorëheqje.

Simiq në një deklaratë për mediet serbe ka lënë të nënkuptojë se Lista Serbe do të marrë pjesë në këto zgjedhje.

“Ne gjithmonë do të luftojmë për popullin tonë, populli serb dëshiron përfaqësues legjitim”, ka thënë Simiq.

Duke e parë që partitë politike në vend janë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është shprehur i gatshëm kurdo që kërkohet organizimi i zgjedhjeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucion i përhershëm që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve kurdo që kërkohet”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për lajmi.net.

Në anën tjetër, Ligji për Zgjedhje thotë se, 10 ditë pas shpërbërjes së Kuvendit, Presidenti duhet të caktojë zgjedhjet e parakohshme.

“Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes”, thuhet në Ligjin për Zgjedhje.

Ndërkaq edhe në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës parashihen hapat konkret, të cilët duhet të ndërmerr Presidenti i Kosovës.

Lexo edhe: 

Pas dorëheqjes së Haradinajt, këto janë procedurat e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme

Në këtë nen, në numrin pesë të Kushtetutës së Kosovës thuhet se “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Bazuar në këtë nen, presidenti i Kosovës do të fillojë konsultimet me koalicionin PAN, për të verifikuar nëse do të mandatojnë ndonjë kandidat të ri për kryeministër.

Por, proceduralisht, pas dorëheqjes së kryeministrit, presidenti fillimisht bën konsultimet me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, për mandatimin e kandidatit të ri, për të formuar qeverinë e re.

Pas këtyre konsultimeve, presidenti e cakton mandatarin për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit.

Kandidati i ri për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Ajo qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Lexo edhe: 

Këta janë hapat që Thaçi duhet t’i ndërmarrë pas dorëheqjes së Haradinajt

Nëse ajo përbërje e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet që duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre. /Lajmi.net/