Këta janë hapat që Thaçi duhet t’i ndërmarrë pas dorëheqjes së Haradinajt

Ramush Haradinaj, sot ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, pas ftesës që i është bërë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Lajme

19/07/2019 20:48

Kryeministri Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë, duke e marrë si shkas një ftesë për intervistim disaorësh nga Gjykata Speciale.

Dikush e quajti akt burrëror, dikush si marketing politik dhe dorëheqje për të shkuar në zgjedhje, por duket që zgjedhjet nuk janë hapi i parë.

Faktikisht, pas dorëheqjes së kryeministrit, e gjithë qeveria bie.

Por, proceduralisht, pas dorëheqjes së kryeministrit, presidenti fillimisht bën konsultimet me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, për mandatimin e kandidatit të ri, për të formuar qeverinë e re.

Pas këtyre konsultimeve, presidenti e cakton mandatarin për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit.

Kandidati i ri për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Ajo qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nëse ajo përbërje e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet që duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre. /Lajmi.net/