“Parti e haraçit dhe me një lider të papjekur”, si ndryshuan qëndrimet e Socialdemokratëve

Të hënën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nënshkroi një marrëveshje koalicioni parazgjedhor me Partinë Socialdemokrate.

Lajme

20/08/2019 12:29

Të dyja këto, nuk është se kanë pasur qëndrime të përbashkëta, mirëpo kohëve të fundit filluan të ‘flirtonin’ me njëra tjetrën.

Socialdemokratët jo rrallëherë e fyen Haradinajn dhe partinë e tij, pasi ishin të pakënaqur me disa nga vendimet që i ndërmori sikurse në nënshkrimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

PSD e akuzoi Haradinajn se i fali tokë Malit të Zi, e quajti AAK-në parti të haraçit e korrupsionit. Ndërsa, së fundi për shkak të deklaratave një pas njëshme të Haradinajt për taksën, Dardan Molliqaj i PSD-së e quajti atë të papjekur.

“Po të kisha qenë unë kryeministër, nuk kisha folur aq shumë për taksën. Nuk isha deklaruar çdo ditë, e heqim, nuk e heqim. Kjo është sjellje e papjekur”, kishte thënë Molliqaj.

Në shkurt të po këtij viti, lideri i PSD-së, Shpend Ahmeti e kërkoi pezullimin e taksës. Si bashkëkryesues i ekipit negociator, Ahmeti tha se duhet pezulluar taksa për t’i dhënë shans dialogut. Një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi Haradinaj nuk hoqi dorë nga idetë e tij për njohje reciproke me Serbinë.

Lajmi.net ka kontaktuar me zëdhënësen e PSD-së, Natyra Kuçi për të marrë një deklaratë se cili është qëndrimi përfundimtar i kësaj partie për taksën pas koalicionit parazgjedhor, ajo ka thënë se për këtë çështje do flas Ahmeti në debate televizive.

Ndërkohë, Pal Lekaj nga AAK, i ka thënë lajmi.net se qëndrimi i kësaj partie për taksën mbetet i njëjti.

“Siç dihet botërisht taksa është vendosur me vendim të qeverisë me në krye Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së dhe askush më shumë se partia në të cilën jam pjesë nuk ka këmbëngulur në mbajtje të taksës. Prandaj çdo herë, nga çdo pozitë mbroj qëndrimin për taksë 100% ndaj produkteve të Serbisë, deri në njohje të pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë”, ka deklaruar Lekaj.

Theksojmë se të dy liderët e partive, deklaruan se i kanë tejkaluar të gjitha gjërat e së kaluarës dhe janë bërë bashkë për koalicionin e fitores. Ndërkohë, Haradinaj tha se është i hapur edhe për Nismën Socialdemokrate dhe Aleancën Kosova e Re.

Taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, është një vendim i bërë në kohën sa Ramush Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës. Edhe pse asnjëherë nuk u kuptua saktësisht se e kujt ishte kjo ide, Haradinaj vazhdon të krenohet me vendosjen e saj./Lajmi.net/

Lexo edhe:

AAK-PSD koalicion i interesit, partinë e Ahmetit nuk po e merrte askush?