AAK-PSD koalicion i interesit, partinë e Ahmetit nuk po e merrte askush?

Shkodran Ramadani, njohës i çështjeve politike koalicion e sotëm në mes AAK-së dhe PSD-së po e sheh si lidhje interesi. Ai thotë se PSD nuk do të mund të përfundonte te asnjë parti tjetër, dhe si e vetme nuk do e kalonte pragun.

Lajme

19/08/2019 21:29

Sot u nënshkrua koalicioni i parë parazgjedhor ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate.

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas nënshkrimit të marrëveshjes, e falënderoi Shpend Ahmetin për mbështetjen e dhënë në formimin e ushtrisë.

Ai tha se gjatë kësaj kohe kanë pasur edhe arsye për t’u sharë, por momenti i ushtrisë i ka tejkaluar të gjitha.

Ndërsa, Ahmeti tha se AAK-në e kanë quajtur parti të haraçit për shkak të bashkëpunimit që kanë pasur me PAN. Të dy bashkë, thanë se i kanë harruar të gjitha dhe se janë bërë bashkë për koalicion të fitores.

Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani i ka thënë lajmi.net se PSD iu ka bashkuar AAK-së për ta kaluar pragun zgjedhor dhe të hyjë në Kuvend.

“PSD-ja përbëhet prej njerëzve të cilët kanë qenë Vetëvendosje edhe akuzat që i kanë bërë ma herët janë bërë kur rivaliteti ka qenë shumë i madh mes këtyre dy partive, por pasi që u nda Vetëvendosja u kriju një realitet i ri në të cilin PSD për shkak se e ka të vështir të kaloj pragun zgjedhor për të hyrë në parlament detyrohet me hy në koalicion me parti tjera. Tash me gjasë AAK iu ka ofruar ndoshta marrëveshjen më të mirë për listën e tyre zgjedhore. LDK-ja e cila ka vetëbesim se munden me i fitu zgjedhjet vet dhe nuk është e interesuar t’i marrë. PDK-në nuk e ka zgjedh PSD-ja pasi reputacioni do t’i dëmtohej shumë”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, në një vend si Kosova nuk duhet bërë këso lloj akuzash për shkak se në zgjedhje lind nevoja për bashkëpunim.

“Por ato akuza që janë bërë më herët janë edhe një dëshmi tjetër se në Kosovë nuk mundesh shume me ofendu parti politike për shkak se kurdoherë duhesh me bashkunu, duhet me pas kujdes çka flasin mos me i banalizu marrëveshjet”.

Ramadani ka theksuar se PSD ka pas marrëdhënie të mira me AAK-në edhe sa kanë qenë në qeveri, duke iu ndihmuar kështu të kalojnë një mori ligjesh.

“PSD ka pas marrëdhënie të mira me AAK-në edhe sa ka qenë në qeveri, është parë se Ahmeti ka marrëdhënie të mira me Ramush Haradinajn edhe në komunë të Prishtinës. Njëfarë relacioni i mirë mes tyre ka qenë duke u zhvilluar gjatë gjithë kohës sidomos kur PSD i ka plotësu numrat për me i kalu ligjet në Kuvend. Flirtimi pra ka nis ma herët, kjo parti i ka krijuar gradualisht vetes rrugën për me hy në koalicion me AAK-në”, ka përfunduar Ramadani.

Haradinaj deklaroi se është i hapur për koalicion edhe me Nismën Socialdemokrate dhe Aleancën Kosova e Re, mirëpo këto dy parti ende nuk janë shprehur të gatshme për një koalicion të tillë. /Lajmi.net/