Palestra, muzeu dhe parkingu nëntokësor mbetën vetëm premtime – Shpejtim Bulliqi nuk i realizoi tri projektet të mëdha në Podujevë

Tri nga premtimet më të mëdha dhe më të theksuara gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021 nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi – ndërtimi i palestrës sportive të qytetit, krijimi i muzeut të qytetit, dhe ndërtimi i një parkingu nëntokësor – kanë mbetur të papërmbushura deri në fund të mandatit të tij. Sipas…

Lajme

09/09/2025 18:23

Tri nga premtimet më të mëdha dhe më të theksuara gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021 nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi – ndërtimi i palestrës sportive të qytetit, krijimi i muzeut të qytetit, dhe ndërtimi i një parkingu nëntokësor – kanë mbetur të papërmbushura deri në fund të mandatit të tij.

Sipas raportit më të fundit të Institutit GAP, që monitoron përmbushjen e premtimeve të kryetarëve komunalë, këto tri projekte figurojnë në listën e katër zotimeve që nuk kanë filluar fare gjatë katër viteve të mandatit të Bulliqit si kryetar i Podujevës, transmeton lajmi.net.

Në total, raporti për Shpejtim Bulliqin dhe qeverisjen e tij komunale përmban këtë bilanc:

  • 37 premtime të përfunduara

  • 7 gjysmë të përmbushura

  • 13 të filluara

  • 4 nuk kanë filluar

Megjithëse në aspektin numerik Bulliqi rezulton me një përqindje të lartë realizimi, projektet e mëdha që ai vetë i kishte promovuar si prioritare për zhvillimin e qytetit, nuk janë as në fazën e nisjes. Palestra sportive, muzeu dhe parkingu nëntokësor kishin për qëllim të adresonin nevojat kulturore, sportive dhe infrastrukturore të qytetit, por kanë mbetur vetëm në letër.

Ndërsa zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 12 tetor 2025, këto premtime të pambajtura pritet të jenë një nga temat qendrore të fushatës në Podujevë, ku qytetarët do të kërkojnë përgjigje për mosrealizimin e tyre./lajmi.net/