Pak orë derisa të përfundoj afati për dorëzimin e listave me kandidatë për deputetë, vetëm gjashtë parti i kanë dorëzuar ato në KQZ
Sot në mesnatë, saktësisht në ora 23:59, përfundon afati që subjektet politike t’i dorëzojnë online listat me emrat e kandidatëve për deputetë, që të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për lajmi.net, se deri tani këto lista i kanë dorëzuar vetëm gjashtë parti.…
Lajme
Sot në mesnatë, saktësisht në ora 23:59, përfundon afati që subjektet politike t’i dorëzojnë online listat me emrat e kandidatëve për deputetë, që të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për lajmi.net, se deri tani këto lista i kanë dorëzuar vetëm gjashtë parti.
Këto gjashtë parti janë, Za Slobodu Pravdu i Opstanak me 12 kandidatë, Socijaldemokratska Unija – SDU me 35 kandidatë, Jedinsvena Goranska Partija me 23 kandidatë, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës me 40 kandidatë, Kosovaki Nevi Romani Partia me 11 kandidatë dhe Fjala me 20 kandidatë
Të gjitha këto 6 parti i kanë gjithsej 141 kandidatë.
“Në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar, KQZ, nëpërmjet Zyrës, do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listën e kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të verifikimit të tyre nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, ka thënë Elezi.
Deri tani, asnjëra nga partitë e mëdha në vend VV, PDK, LDK dhe AAK nuk i kanë dorëzuar këto lista.
Disa nga këta kandidatë për deputetë kanë njoftuar se cilët numra do t’i mbajnë në lista. /Lajmi.net/