Pacolli fiton përballjen gjyqësore me Pecin, thotë se Gjykata e detyroi të kompensojë dëmin për shpifje dhe fyerje: Nuk është çështje parash

Begjet Pacolli ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar padinë e tij ndaj ministrit në detyrë, Faton Peci, lidhur me deklaratat që Peci kishte bërë ndaj tij në rrjete sociale dhe në disa emisione televizive në nëntor të vitit 2024. Pacolli ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se Gjykata e…

Lajme

30/09/2026 14:01

Begjet Pacolli ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar padinë e tij ndaj ministrit në detyrë, Faton Peci, lidhur me deklaratat që Peci kishte bërë ndaj tij në rrjete sociale dhe në disa emisione televizive në nëntor të vitit 2024.

Pacolli ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se Gjykata e ka detyruar Pecin që ta kompensojë dëmin jomaterial të shkaktuar, sipas vendimit, nga shpifja dhe fyerja.

“Për mua, ky rast nuk ka qenë dhe nuk është çështje parash. Është çështje e së vërtetës, dinjitetit dhe përgjegjësisë për fjalën publike”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka thënë se kritika është pjesë e jetës publike, por sipas tij, shpifja dhe fyerja janë të ndryshme.

“Kritika është pjesë e jetës publike dhe duhet pranuar. Por shpifja dhe fyerja janë diçka tjetër. Askush, pavarësisht pozitës apo funksionit që mban, nuk duhet ta konsiderojë hapësirën publike si licencë për të cenuar reputacionin dhe dinjitetin e tjetrit”, ka deklaruar ai.

Pacolli ka thënë se kishte zgjedhur që ndaj deklaratave të Pecit të përgjigjej përmes institucioneve dhe rrugës ligjore.

“Unë zgjodha që ndaj këtyre deklaratave të përgjigjem përmes institucioneve dhe rrugës ligjore. Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë dha vendimin e saj”, ka shkruar ai.

Në fund, Pacolli ka thënë se do të vazhdojë ta mbrojë emrin dhe dinjitetin e tij përmes institucioneve.

“Do të vazhdoj të mbroj emrin dhe dinjitetin tim me fakte dhe përmes institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Pacolli. /Lajmi.net/