Pacientët në Mjekimin Intensiv detyrohen të blejnë vetë barnat, shpenzimet arrijnë deri në 100 euro në ditë
Familjarët e pacientëve që po trajtohen në Mjekimin Intensiv Qendror po përballen me shpenzime të konsiderueshme për sigurimin e barnave, të cilat nuk po i gjejnë në institucionin publik shëndetësor. Shpenzimet ditore, sipas shqetësimit të ngritur nga gazetarja Arbëreshë Uka, arrijnë në 90 deri në 100 euro, ndërsa për të dëshmuar këtë situatë ajo ka…
Lajme
Familjarët e pacientëve që po trajtohen në Mjekimin Intensiv Qendror po përballen me shpenzime të konsiderueshme për sigurimin e barnave, të cilat nuk po i gjejnë në institucionin publik shëndetësor.
Shpenzimet ditore, sipas shqetësimit të ngritur nga gazetarja Arbëreshë Uka, arrijnë në 90 deri në 100 euro, ndërsa për të dëshmuar këtë situatë ajo ka publikuar edhe një faturë të blerjes së barnave.
Përmes një postimi, Uka ka ngritur shqetësimin për mungesën e disa barnave, përfshirë edhe ampulën e kaliumit, e cila është pjesë e Listës Esenciale të Barnave dhe duhet të sigurohet nga shteti, transmeton lajmi.net.
“90-100 Euro po duhet me ble ilaçe çdo ditë, na rjepen!”, ka shkruar Uka, duke përcjellë shqetësimin e një qytetari për barrën financiare me të cilën po përballen familjarët e pacientëve.
Sipas gazetares, shqetësues është fakti se në Mjekimin Intensiv Qendror mungon edhe ampula e kaliumit, një preparat që ka rëndësi për funksionimin normal të organizmit, përfshirë funksionin e zemrës.
Ajo ka theksuar se ky preparat është pjesë e Listës Esenciale të Barnave dhe, si i tillë, duhet të sigurohet nga institucionet publike shëndetësore.
Mungesa e barnave që janë pjesë e kësaj liste ngre pikëpyetje për furnizimin e institucioneve shëndetësore dhe arsyet pse familjarët po detyrohen t’i blejnë ato me shpenzimet e tyre.
Përveç ampulës së kaliumit, Uka ka ngritur shqetësimin edhe për antibiotikun Tygacilin, i cili nuk është pjesë e Listës Esenciale të Barnave.
Sipas saj, ky antibiotik paraqet një barrë të rëndë financiare për familjarët e pacientëve që qëndrojnë për muaj të tërë në Mjekimin Intensiv Qendror.
Në këto rrethana, familjet detyrohen të përballojnë shpenzime të vazhdueshme për sigurimin e terapisë, krahas vështirësive që sjell trajtimi i gjatë i të afërmve të tyre./lajmi.net/