Kryeministri hungarez konfirmon ndalimin e vëllait të Viktor Orbanit: Po hetohet për trafikim me njerëz

Kryeministri i Hungarisë, Peter Magyar, ka konfirmuar se vëllai i ish-kryeministrit Viktor Orban, biznesmeni 49-vjeçar Aron Orban, është ndaluar në kuadër të një hetimi për trafikim me njerëz. Magyar e bëri të ditur këtë gjatë një fjalimi në Berlin, ku foli edhe për hetimet ndaj ish-zyrtarëve të qeverisë së Orbanit, transmeton lajmi.net. “Tre nga ish-ministrat…

Bota

10/11/2026 12:57

Kryeministri i Hungarisë, Peter Magyar, ka konfirmuar se vëllai i ish-kryeministrit Viktor Orban, biznesmeni 49-vjeçar Aron Orban, është ndaluar në kuadër të një hetimi për trafikim me njerëz.

Magyar e bëri të ditur këtë gjatë një fjalimi në Berlin, ku foli edhe për hetimet ndaj ish-zyrtarëve të qeverisë së Orbanit, transmeton lajmi.net.

“Tre nga ish-ministrat e Orbanit tashmë janë në paraburgim. Ndërsa sot në paraburgim përfundoi edhe vëllai i tij”, deklaroi Magyar, duke iu referuar Aron Orbanit.

Sipas Reuters, konfirmimi i kryeministrit erdhi pasi organi hungarez kundër korrupsionit njoftoi se, në bashkëpunim me policinë, kishte ndaluar katër persona dhe kishte kryer bastisje në disa banesa në Budapest dhe në qarkun e Pestit.

Të dyshuarit akuzohen se gjatë vitit 2024 kishin ndihmuar shtetas vietnamezë të arrinin në Evropën Perëndimore, duke u kërkuar aplikuesve për viza pagesa në përfaqësitë diplomatike hungareze në Vietnam. Sipas hetuesve, paratë më pas ndaheshin mes personave të përfshirë në skemë.

Ndërkohë, ish-kryeministri Viktor Orban ka reaguar pas ndalimit të vëllait të tij, duke e cilësuar këtë veprim si hakmarrje politike.

“Në këtë lojë të ndyrë, qëllimi është eliminimi i kundërshtarit politik dhe vendosja e një sistemi njëpartiak. Unë jam objektivi, ndërsa vëllai im më i vogël është vetëm një mjet”, ka shkruar Orban në Facebook.

Hetimet janë pjesë e fushatës kundër korrupsionit të nisur nga qeveria e Peter Magyarit, i cili erdhi në pushtet pas fitores ndaj Orbanit në zgjedhjet e prillit, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së këtij të fundit.

Autoritetet hungareze po hetojnë pretendimet për korrupsion dhe keqpërdorime gjatë qeverisjes së mëparshme, akuza të cilat Viktor Orban i ka mohuar.

Sipas Reuters, dy ish-ministra të qeverisë së Orbanit dhe ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Gyorgy Matolcsy, ndodhen gjithashtu në paraburgim në kuadër të hetimeve të ndara për korrupsion./lajmi.net/