​SHBA synon fundin përfundimtar të luftës në Ukrainë, nisin negociatat vendimtare në Abu Dhabi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës në Ukrainë, ndërsa sot në Abu Dhabi pritet të nisin negociatat ndërmjet përfaqësuesve amerikanë, rusë dhe ukrainas. Sipas agjencisë Associated Press (AP), bisedimet 2-ditore, të planifikuara për 10 dhe 11 nëntor, janë të parat në këtë format që nga shkurti dhe…

Bota

10/11/2026 08:35

Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës në Ukrainë, ndërsa sot në Abu Dhabi pritet të nisin negociatat ndërmjet përfaqësuesve amerikanë, rusë dhe ukrainas.

Sipas agjencisë Associated Press (AP), bisedimet 2-ditore, të planifikuara për 10 dhe 11 nëntor, janë të parat në këtë format që nga shkurti dhe do të përqendrohen në garancitë e sigurisë dhe kushtet për një marrëveshje afatgjatë të paqes.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump synon gjithashtu përfshirjen e vendeve evropiane në diskutimet për arkitekturën e ardhshme të sigurisë në kontinent.

Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se përfundimi i qëndrueshëm i luftës kërkon pjesëmarrjen e Evropës, megjithëse Moska ka kundërshtuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve evropianë në negociatat trepalëshe.

Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të zhvillojnë takime me përfaqësues nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian.

Në qendër të diskutimeve do të jenë garancitë e sigurisë për Ukrainën, marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Rusisë dhe Evropës, si dhe masat për parandalimin e një konflikti të ri.

Megjithatë, dallimet ndërmjet Moskës dhe Kievit mbeten të thella.

Presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të kërkojë që Ukraina të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO, të pranojë kufizime ndaj forcave të saj ushtarake dhe të tërhiqet nga 4 rajonet që Rusia pretendon se i ka aneksuar.

Në anën tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kundërshton lëshimet territoriale dhe kërkon armëpushim të menjëhershëm, të shoqëruar me garanci të forta ndërkombëtare të sigurisë.

Delegacioni rus udhëhiqet nga këshilltari i Putinit, Vladimir Medinsky, ndërsa ai ukrainas nga Rustem Umerov, drejtues i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës.

Negociatat zhvillohen në një kohë kur luftimet vazhdojnë në terren dhe të dyja palët kanë intensifikuar sulmet në distancë.

Rusia ka goditur infrastrukturën energjetike të Ukrainës, ndërsa forcat ukrainase kanë sulmuar rafineri të naftës në territorin rus.

Pavarësisht përpjekjeve diplomatike të Uashingtonit, ende nuk ka sinjale të qarta se palët janë të gatshme të bëjnë kompromiset e nevojshme për arritjen e një marrëveshjeje.

Lufta në Ukrainë, e nisur me pushtimin e plotë rus në shkurt të vitit 2022, po i afrohet vitit të 5-të, ndërsa negociatat në Abu Dhabi konsiderohen një përpjekje e re për t’i dhënë fund konfliktit.